08.01.2024

Këshillimi Smart - 5 Këshilla për një planifikim të suksesshëm në aktivitetin tuaj bujqësor

5 këshilla për planifikimin e mbjelljeve

Për të filluar planifikimin e mbjelljeve në fillim të vitit, duhet të rishikoni disa elementë të rëndësishëm për një sukses, dhe të konsultoheni me një ekstensionit bujqësor ose ofrues shërbimesh në agrobiznes (agronom, veteriner apo ekonomist agrar) në lidhje me tokën, kulturën, kapitalin, infrastukturën, tregun, pajisjet, punësimi dhe agroteknikën.
- Zgjedhja e kulturave për mbjellje. Zgjidhni kulturat që janë të përshtatshme për kushtet tuaja klimatike, gjeografike dhe tokësore. Merrni parasysh rotacionin e bimëve për të përmirësuar pjellorinë e tokës dhe për të parandaluar çështjet e dëmtuesve dhe sëmundjeve. Gjithashtu vëmendje të veçantë duhet ti kushtoni varieteteve më të kërkuara nga konsumatori vendas dhe eksporti. Vendosni ura bashkëpunimi me grumbulluesit apo eksportuesit në lidhje me kërkesat e eksportit, sasitë, varietetet dhe certifkimet përkatëse. Përdorni kartat teknologjike për kulturat që do mbillni.
- Cilësia e tokës dhe e ujit. Jepini përparësi cilësisë së tokës duke përfshirë lëndë organike dhe elementët e saj, si dhe duke kryer analizat e tokës dhe përcaktimin e skemës përkatëse të plehrimit. Analizoni parametrat e ujit dhe mënyrën e ujitjes.
- Menaxhimi i dëmtuesve dhe sëmundjeve. Zhvilloni një plan për menaxhimin e dëmtuesve dhe sëmundjeve, duke përfshirë praktikat e menaxhimit të integruar të dëmtuesve (IPM). Vendosni bashkëpunime me ofruesit e inputeve bujqësore. Strategjia e plehrimit bazohet në parametrat e tokës dhe kërkesat e kulturës për elemente plehrues.


- Buxheti dhe financimi. Krijoni një buxhet që përfshin shpenzimet për farat/fidanët, plehrat, pesticidet, pajisjet dhe punën. Monitorimi i shpenzimeve ju ndihmon të qëndroni brenda kufijve tuaj financiarë dhe të maksimizoni fitimin. Nëse aktiviteti kërkon më shumë buxhet se sa gjendja aktuale, filloni tratativat e kreditimit. Aktivitetet bujqësore kërkojnë financim në kohën e duhur dhe të shpejtë. Kartat teknologjike të ofrojnë një pasqyrë të qartë të shpenzimeve dhe kohën e tyre.
- Përdorni fletoren e fermerit. Mbani shënime të detajuara të aktiviteteve tuaja të mbjelljes, përdorimin e pesticideve dhe kimikateve (duke përfshirë datat dhe dozometrinë), vjeljen, rendimentet dhe  shitjet. Ky informacion do të jetë i vlefshëm për planifikimin dhe zgjidhjen e problemeve, duke shërbyer edhe për korrigjimin e situatave apo dëmeve në mbjelljet e tjera. Fletorja e fermerit është një mjet i rëndësishëm për gjykimin e kredisë nga mikro-financat por edhe për certifikimin me standartin Global Gap.

Kartat teknologjike për 40 aktivitete bujqësore dhe ditarin e fermerit e gjeni në zyrat e NOA-s!

“NOA Financon, NOA Këshillon”

Këshillime të tjera