26.08.2022

Kultivimi misrit dhe përgatitja e silazhit për blegtorinë

Silazhi është një produkt që prodhohet gjatë procesit të konservimit të ushqimit të kafshëve me metodën e silazhimit përmes mikroflorës natyrale. Misri përmban një sasi të lëndëve ushqyesve të dobishme për racionet ushqimore për blegtorinë. Vlera e lartë e ushqimit të misrit të silazhit përcaktohet nga kushtet e përshtatshme klimatike, karakteristikat e tokës dhe zbatimi i rreptë i sherbimeve agroteknike. Për kultivimin e misrit për silazh, paraardhësit më të mirë janë gruri dhe kulturat bishtajore. Ndërkohe nuk rekomandohet kultivimi i misrit pas panxharit apo lulediellit. Teknologjitë moderne nënkuptojnë futjen e detyrueshme të plehrave organike dhe minerale të balancuara sipas nevojës së bimëve të misrit, kryesisht plehrat azotike dhe herbicideve etj që synojnë shkatërrimin e barërave të këqija shumëvjeçare.

Kultivimi i misrit për blegtorinë ka nje cikël vegjetativ më të gjatë. Kjo për arsyen e thjeshtë se korrja realizohet para pjekjes së plotë. Nga pikëpamja praktike në zona të caktuara ekologjike hibridet për silazh zgjidhen me cikël vegjetativ më të gjatë se ato që mbillen për kokërr. Hibridet për silazh kërkohet të jenë të përshtatshëm të kultivohen në një dendësi bimësh 10-12 % më të lartë se sa kur kultivohen për kokërr. Treguesit kryesorë agromorfologjikë të dëshirueshëm janë këndi vertikal i gjethes, të kenë një strukturë “veshjeje” të ngjeshur me gjethe si dhe rezistenca e lartë ndaj rrëzimit.

Preferohen për silazh hibridet e tipit “stay green” (qëndrojnë të gjelbër deri në pjekje). Kjo është e dëshirueshme pasi realizohen vlera më të larta ushqyese në kokërr duke siguruar lagështirë të mirë në përgatitjen e silazhit (ngjeshjen e tij).

Kultivimi i misrit në Shqipëri ka kryesisht drejtimin për blegtorinë dhe paraqitet si më poshtë:

- 86-90 % përdoret si koncentrat për blegtorinë në Shqipëri;

- 4- 6 % konsum human dhe industri;

- 8-10 % si silazh me kallinj;

Shqipëria kultivon rreth 58,300 ha, nga ku vetëm për prodhim misri kokërr kemi rreth 53,000 ha. Prodhimi i përgjithshëm është 414,300 ton misër kokërr, me një rendiment për kokërr rreth 6.5 ton/ha.Ndërkohë për silazh me kalli kultivohet rreth 5,000 ha, me një rendiment rreth 35-40 ton/ha. Qarqet me sipërfaqe më të mëdha janë Fieri, Elbasani, Shkodra, Dibra dhe Korça.

Bazuar në vrojtime, rreth 15,000 ha tokë me misër arrijnë rendimente të larta që shkojnë nga 12-15 ton/ha misër kokërr, që kryesisht janë fermerët e Sarandës, Konispolit, Maliqit, Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Fierit.

Koha optimale për korrje të misrit për silazh.

Koha optimale për korrjen e misrit të silazhit është kur kokrra është në fazën e pjekurisë (30-35%) e materies së thatë të tërë bimës dmth, kur kokrra e misrit nga brënda është si brumë dhe kur përmbajtja e amidonit është në përqëndrim maksimal.

Në fazën e pjekurisë kur ngjyra e kokrrës është në të verdhë, maja e kokrrës është ende me lagështi dhe pjesa tjetër e kokrrës është mjaft e fortë. Me korrjen e misrit në këtë fazë të zhvillimit, arrihet rendiment më i lartë i silazhit. Lartësia e korrjes nga toka duhet të jetë 10 -15 cm.

Teknika e silazhimit paraqet një renditje të caktuar të veprimeve me masë të gjelbër, duke filluar prej kositjes së bimëve e deri te përfundimi i proçesit të silazhimit. Zbatimi korrekt i teknikës së silazhimit është kusht për zhvillimin e fermentimit acido-laktik dhe për fitimin e silazhit cilësor.

Teknika e silazhimit përfshin kositjen e masës së gjelbër, grimcimin, ngarkimin në mjete transportuese, transporti deri në depot për silazhim, shkarkimin në depo për silazh, shtypja dhe izolimi i masës për silazhim nga ajri.

Të gjitha këto operacione duhet të jenë të sinkronizuara dhe të kryhen me veprime më të shpejta. Grimcimi mundëson shtypjen më të mirë të masës së gjelbër në depot e silazhit. Madhësia e prerjes së masës së gjelbër është e ndryshme dhe varet nga aftësia e saj për shkelje. Misri foragjer mund të shtypet mirë dhe mund të grimcohet në madhësi deri 5.5 cm, ndërsa te bimët e tjera gjatësia duhet të jetë 1 – 3 cm.

Respektimi i copëzimit/grimcimit të masës së korrur, mundëson depërtimin e lëngut që përmban sheqer, në masën silazhuese si dhe ngjeshje (shtypje) dhe homogjenizim më të mirë. Ngjeshja ose shtypja mundëson krijimin e një mjedisi anaerob (pa oksigjen) që favorizon zhvillimin e baktereve të acidit të qumështit dhe fermentimit të acidit qumështor, dhe kjo ndikon në rritjen e cilësisë të silazhit.

Planifikimi i kapacitetit të vendit për silazh, lokacionit dhe karakteristikat e ruajtjes.

Është e nevojshme të merren në konsideratë parametrat sic janë: numri i kafshëve që do të ushqehen me silazh, numri i ditëve të ushqyerjes me silazh (optimalisht 300 ditë), sasia ditore e silazhit në një racion ushqimor (20-30 kg për krerë) dhe pesha e 1 m3 të silazhit e cila eshte rreth 650-900 kg. Pesha e silazhit varet nga përmbajtja e lagështisë, përbërjes dhe shkalla e ngjeshjes së masës së silazhit.

Depot për silazhim, janë vendet ku vendoset masa për silazhim dhe quhen silose.

Siloset i ndajmë në ato të improvizuara, silose për përdorim më të gjatë dhe ato nëntokësore. Në silose të improvizuara hyjnë siloset-gropa, gjysmë kanalet, silos-kanalet, siloset e adaptuar etj. Këta silos mund të kenë forma të ndryshme, të rrumbullakët, katrorë, katërkëndësh. Këta silos zakonisht janë pa mure. Te këta tipa të siloseve duhet të kemi kujdes që të mos depërtojnë ujëra nëntokësorë. Siloset me përdorim më të gjatë mund të jenë nëntokësorë dhe mbitokësorë. Këta ndërtohen prej materialeve të ndryshme, si beton, tulla, metal, dru etj. Siloset nëntokësorë mund të ndërtohen në forma të ndryshme siç janë forma e kullës, cilindrit, etj. Silazhi duhet të vendoset sa më afër të jetë e mundur vendit të ushqimit të kafshëve, duke siguruar hapësirë të mjaftueshme për qasje në mekanizim.

Madhësia e hapësirës së silazhit duhet të jetë në përputhje me numrin dhe llojin e kafshëve që duhet të ushqehen, gjatësinë, periudhën e ushqyerjes dhe sasinë e silazhit, për të siguruar mundësinë e mbylljes, muret duhet të jenë të drejta dhe të lëmuara, me thellësi adekuate, të përforcuar në anët anësore të mureve dhe të siguruar drenazhimin dhe kullimin e rrjedhjes së lëngut të silazhit.

Mbushja e shtypja e silazhit në depo.

Qëllimi i përgatitjes së silazhes është që të ruajmë vlerën ushqyese të saj si baza ushqimit të mëvonshëm. Kjo mundet të kryhet me shndërrimin e sheqernave të bimëve në acide organike (nëpërmjet fermentimit).

Përgatitja e depos së silazhimit nënkupton pastrimin mekanik, dezinfektimin, etj. Mënyra e mbushjes së depos së silazhit varet nga mekanizimi që disponojmë dhe lloji i depos. Mbushja e depos së silazhit duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe nëse është e mundur pa ndërprerje. Ngjeshja apo shtypja e mirë e masës se silazhit  është njëra nga parakushtet më të rëndësishme bazë për prodhimin e silazhit me cilësi të lartë. Me largimin e ajrit nga masa e silazhit arrihet krijimi i kushteve më të favorshme për zhvillimin e baktereve të acidit të qumështit, zvogëlimi më i shpejtë i pH deri në pH-4,0 të silazhit dhe zvogëlimi i humbjes së lëndëve ushqyese nga ngrohja. Depot e vogla të silazhit duhet të mbushen dhe të ngjeshën brenda ditës si dhe të mbulohen menjëherë, ndërsa depot e mëdha me mure të larta (mbi 2 m) mund të mbushen për disa ditë duke shtuar një shtresë të trashë deri në 1m në baza ditore.

Mbulimi i masës së silazhit.

Pas mbushjes dhe ngjeshjes me anë të traktorit apo me mjete të tjera, vjen proçesi i mbulimit të silazhit deri sa të shpenzohet për ushqimin e kafshëve. Duhet mbrojtur nga reshjet dhe depërtimi i ujit përgjatë mureve të depos (foljes). Skajet e foljes duhet të jenë më të gjata së paku 50 cm se muret e depos. Pas largimit të ajrit nga masa e silazhës duhet të bëhet mbulimi sa më mirë për të parandaluar hyrjen e ajrit. Përdorni material plastik të kualitetit të mire për mbulim.

Marrja e silazhit për ushqim të kafshëve dhe shpërndarja.

Marrja e silazhit mund të bëhet në mënyra të ndryshme, por mënyra më e rregullt është  nëse prerja e masës së silazhit që duhet tu jepet kafshëve për ushqim të bëhet në mënyrë të drejtë dhe duke ruajtur që masa e silazhit mos të shpërndahet. Marrja mund të bëhet me pajisje me thika të ndryshme prerëse ose me anë të nxjerrësit të lëvizshëm në formë të kërmillit si dhe me anë të  përzierësve me rimorkio. Shpërndarja e silazhit bëhet me dorë, rimorkio ose miksiere. Silazhi i nxjerr nga depo është i nevojshëm që të shpërndahet kafshëve, sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të shmanget ngrohja dhe prishja e masës së silazhit.

Sa është kosto e kultivimit të misrit dhe nevojat e fermave të vogla blegtorale.

Institucioni mikro-financiar NOA, ka hartuar kartat teknologjike në bujqësi dhe përcaktuar nevojat për bazë ushqimore për tipologji të ndryshme fermash blegtorale, nga ato të thjeshta (rendimente rreth 4,000 ton qumësht/vit dhe deri tek ato të larta me rreth 8,000 litra qumësht/vit).

Kostot për prodhimin e misrit dhe nevojat për bazë ushqimore paraqiten të detajuara në tabelat e mëposhtme:

Pra, duke ju referuar racioneve ushqimore për blegtorinë dhe kostot e blerjes së tyre na rezulton që një blegtor me 10 lopë qumështi, me standart të mesëm (pra rreth 20 litra qumësht në ditë/krerë) ka nevojë për 65,700 kg silazh misri dhe 10,950 kg misër kokërr, që kushtojnë në total 1,587,750 lekë.

Kërkesën për këtë fond të nevojshëm, NOA e financon në mënyrë të menjëhershme me keto karakteristika kredie:

- Analizë dhe financim brënda 24 orëve;

- Pa nevojë kolaterali apo pengjesh;

- Grafiku i shlyerjes së kredisë i strukturuar sipas periudhës së gjenerimit të të ardhurave;

- Mundësi ri-financimi për të zgjeruar biznesin blegtoral;

- Këshillim i specializuar financiar dhe agroteknik;

- Ofrimin e rrjetit të saj për tregtimin e lëndës së parë.

NOA financon dhe këshillon aktivitetet bujqësore!

 

 

Këshillime të tjera