Kultivimi i qepës në Shqipëri dhe kërkesa e tregjeve Europiane
Qepa është një ndër bimët më kryesore të familjes liljacea e cila ka gjetur një përhapje dhe një përdorim të gjerë. Qepa i përshtatet të gjithë kushteve klimaterike-tokësore dhe për këtë kjo bimë kultivohet kudo në vendin tonë. Temperatura minimale e mbirjes është 2-5⁰C, ndërsa ajo optimale është 20⁰C. Qepa i duron shumë mirë temperaturat e ulta dhe sidomos kultivarët djegës se sa ato të ëmbla. Kështu, kultivarët djegës durojnë zakonisht nga -6 deri në -7 ⁰C, ndërsa ato të ëmbla nga -3 deri në -4⁰C. Në lidhje me strukturën varietore në Shqipëri ka shumë ekoitipe, të cilët përdoren për prodhim qepësh të thata dhe të njoma.
Varietetet më të përmendura të qepës së thatë janë: Qepa e Mirasit; Qepa e Kuqe e Dishnicës; Qepa e Benjës; Qepa e Rehovës; Qepa e Linit; Qepa e Peshkopisë; Qepa e Drishtit; si dhe shumë hibride të huaja si: Herkules, Shtudgarden, etj.
Më të përmendurat për prodhimin e qepës së njomë, janë: Sukthi (e vitit 1930), etj. Edhe për këtë destinacion kanë hyrë shumë kultivarë të huaj. Qepa kultivohet në të gjitha llojet e tokave, madje edhe në tokat argjilore/deltinore, por e rëndësishme është kullimi i mirë, mbajtja pastër nga barishtet e këqia, dhe gjithashtu tokat duhet të plehërohen mirë me plehëra organike.
Shqipëria ka një balancë tregtie negative në lidhje me këtë kulturë duke importuar 1,775 ton qepë në një vlerë 1,356,633$, dhe eksportuar një sasi prej 1,249 ton (e njomë) në një vlerë prej 552,960$.
Kultivimi i qepës në Shqipëri ka tregues një rritje të lehtë prej afërsisht 10%, si të sipërfaqes ashtu edhe të prodhimit.
Bazuar në Portalin e Fermerit, çmimi i shitjes me shumicë të qepës varion nga 80-100 lek/kg, çmim ky shumë i favorshëm apo me përfitim të lartë për kultivuesit e qepës.
Është vlerësuar se rreth 30 deri në 40 për qind e prodhimit humbet për shkak të mungesës së objekteve magazinuese të përshtatshme. Prandaj, është e nevojshme pasja e ambjenteve që ruajnë temperaturë të ftohtë të qepëve në rajonet ku prodhimi shfaq potencialitet. Për këtë arsye, biznesi i magazinimit në ruajtje të ftohtë të qepëve do ndihmojë jo vetëm fermerët për ruajtjen e prodhimit, por do të stabilizojë edhe çmimin e qepës nëpërmjet tregtimit në mënyrë graduale në tregjet lokale.
Në Shqipëri në shumicën e zonave ku kultivohet qepa, ambientet e magazinimit operojnë me metoda të vjetra të ruajtjes me kashtë. Qepa duhet të ruhet në mënyrë ideale në 0-4⁰C dhe në një nivel lagështie prej 55-65% për të parandaluar humbjen e peshës për shkak të humbjes së ujit. Kjo do të ruajë peshën dhe freskinë e bulbës së qepës dhe gjithashtu do të ruajë pamjen e freskët të qepës.
Kushtet optimale të ruajtjes së qepëve dhe procesi i tharjes
Kushtet optimale të ruajtjes së qepëve varen shumë nga lloji i qepës, vendi dhe ndonjëherë edhe rajoni ku prodhohen qepët. Në vendin tonë asnjëherë nuk ka munguar prodhimi vendor i qepës, pasi ka një klimë të përshtatshme për kultivimin e kësaj kulture bujqësore. Teknologjia e ruajtjes së qepëve duhet ti nënshtrohet proceseve të mëposhtme:
- Procesi i tharjes;
- Proceset e rritjes ose uljes së temperaturës së tyre;
- Ruajtja në temperaturë konstante;
Qëllimet e procesit të tharjes së qepës janë:
- Për të hequr të gjithë ujin sipërfaqësor ose lagështinë nga qepa;
- Për të tharë tre ose katër shtresa të lëkurës së qepës;
- Për të tharë kërcellin (mos harroni se pasi të pritet kërcelli, lihet i hapur dhe duhet të mbahet sa më i thatë).
Përpara se të ruhen, qepët duhet të kenë karakteristikat e mëposhtme:
- Qepa duhet të jetë i një varieteti të duhur për ruajtje.
- Duhet të korret kur të jetë plotësisht e pjekur fizikisht.
- Bulba duhet të jetë e fortë dhe kompakte.
- Lëkura duhet të jetë e fortë.
- Bulba duhet të ketë një përmbajtje të ulët uji.
- Nuk duhet të përdoret azot gjatë 6 javëve të fundit të rritjes së saj.
Qepët mund të ruhen në dy nivele temperaturash:
· Midis 0 dhe 4 ° Celsius (në dimër)
· Midis 25 dhe 31 ° Celsius (në verë)
Lagështia relative duhet të mbahet vazhdimisht ndërmjet 55% dhe 65% dhe të qëndrojë në një mjedis të errët. Kërkohet pak ventilim (por jo shumë). Ventilimi është thelbësor për të shmangur një rritje të niveleve të CO2 dhe për të shpërndarë nxehtësinë e krijuar nga qepët, ndërsa ato ngadalë vazhdojnë të marrin frymë. Nuk lejohet që qepa të qëndrojë afër produkteve të tjera si mollët ose patatet.
Ndriçimi duhet të evitohet, pra të mbahen në errësirë. Sa herë që një dritë ndizet brenda magazinimit, qepët (në majë të një grumbulli) do të reagojnë sikur të ishin në rrezet e diellit dhe do të fillojnë të mbijnë.
Atmosfera e kontrolluar (CA) është një teknikë shumë e provuar që frenon natyrshëm mbirjen e qepës dhe minimizon humbjen e cilësisë gjatë ruajtjes. Ruajtja në atmosferë të kontrolluar mund të krijojë kushte optimale për qepët. Frymëmarrja e qepës zvogëlohet duke ulur përqindjen e oksigjenit brenda qelizës, duke rritur sasinë e CO2, duke kontrolluar lagështinë relative (RH) dhe duke rregulluar automatikisht temperaturën. Për shkak të kushteve të sofistikuara të ruajtjes brenda qelizës, mbirja e qepës parandalohet dhe humbja e cilësisë minimizohet. Kjo lejon që qepët të ruhen për një periudhë më të gjatë duke pasur cilësinë më të lartë, e cila kontribuon në një vazhdimësi më të mirë.
Kriteret agroteknike për aplikim para vjeljes së qepës
Për të korrur qepë të shëndetshme e cila i reziston kohës duke paraqitur cilësi dhe minimizim të humbjeve në peshë, duhet të aplikohet:
· Shtohet kalium rreth muajit Maj-Qershor për të ndihmuar bulbën të maturohet.
· Shmanget përdorimi (veçanërisht ushqimet me azot) për 6 javët e fundit të rritjes.
· Pritet që kërcellët të zverdhen dhe të fillojnë të bien. Sapo të paktën 1/3 e kërcellit bie, është koha për të korrur.
Si paraqitet prodhimi dhe tregtia e qepës në botë
Çmimet globale të qepëve janë në nivele rekord të larta për shkak të mungesës së produktit. Në Holandë, tregu i qepëve është stabilizuar me një çmim rreth 80-90 cent/kg për klasën 60/80, ndërsa në Gjermani, qepët spanjolle dhe holandeze janë shumë mbi nivelet e çmimeve të viteve të mëparshme dhe kërkesa për qepë importi është relativisht e lartë. Ndërkohë, Britania e Madhe, Italia po përballen gjithashtu me ulje të prodhimit për shkak të thatësirës dhe mbjelljeve më të ulta. Në Itali kërkesa për qepë është e lartë dhe çmimet janë ndalur pas një gare të konsiderueshme rritëse, ndërsa në Spanjë çmimet e qepëve kanë arritur nivele shumë të larta për shkak të mungesës globale. Tregu i eksportit të qepëve është gjithashtu interesant. Një vështrim në statistikat globale dhe renditjen e eksportuesve më të mëdhenj, evidentohet rëndësia që paraqesin vendet e Azisë Qendrore në tregtinë botërore të qepëve, jo thjesht vetëm të thata (Taxhikistani ishte eksportuesi i dytë më i madh në planet në vitin 2021 i qepëve jeshile të njoma) apo dhe Egjipti që ka tregues në rritje për të qenë brenda 10 kompanive lider të eksportit të qepëve në botë. Duhet theksuar se Egjipti tashmë ka një rol të rëndësishëm në tregun global për disa produkte bujqësore dhe në veçanti për patatet. Të dhënat më të fundit e vendosin vendin si eksportuesin e gjashtë më të madh të patates në botë.
Egjipt. Çmimi i qepës pranverore është rritur me 80% për shkak të mungesës dhe rritjes së kostove.
Afrika e Jugut. Po përjeton një rritje të çmimeve të qepës për shkak të rendimenteve më të ulta, më pak hektarë të mbjellë dhe ndërprerje kronike të energjisë elektrike.
Amerika e Veriut. Ka furnizime të shumta me qepë, por kërkesa e ngadaltë po i mban çmimet të ulta.
Holandë. Vihet re një tendencë për stabilizimin e tregut të qepëve, duke arritur një vlerë prej 80-90 cent për klasën 60/80”. Në të njëjtën kohë, kërkesa është mjaft e gjerë, si në drejtim të lindjes, në vende si Polonia dhe Serbia dhe po ashtu drejt jugut në vende si Spanja dhe Italia, qepët janë të kërkuara.
Gjermani. Ashtu si shumë segmente të tjera të tregut, tregu i qepëve aktualisht karakterizohet me çmime të larta rekord. Në të njëjtën kohë, kërkesa për import të qepës është relativisht e lartë pasi rendimenti i vitit të kaluar në Gjermani ishte mjaft i ulët.
Francë. Mungesa e sasive të mëdha rrit kërkesën për qepë franceze. Qepa në këtë kohë shitet 1.5-2 herë më shumë se vitin e kaluar. Me motin e nxehtë, temperaturat e larta dhe paqëndrueshmërinë e motit, ishte e parashikueshme që të kishte shumë pak sasi të produktit. Si rrjedhojë, qepa aktualisht po shitet me çmime shumë të larta.
Anglia. Prodhimi i qepës është pothuajse 25% më i vogël këtë vit dhe është ulur me 100,000 tonë. Anglia konsumon rreth 800,000 ton qepë nga të cilat rreth 450,000 ton prodhohen në vend. Pjesa tjetër importohet nga e gjithë bota, por kryesisht nga Holanda dhe Spanja. Mungesa nuk është vetëm për shkak të thatësirës, por edhe nga një ulje prej 8.5% të të mbjelljave. Pothuajse të gjitha vendet kryesore që kultivojnë qepë në Evropë kanë ulur sipërfaqet e mbjellja. Spanja vlerësohet të bjerë nga 1.567 milion ton në 1.198 milion ton. Holanda vlerësohet të jetë ulur nga 1.768 milion ton në 1.494 milion ton. Në përgjithësi, kulturat evropiane këtë sezon (2022-2023) vlerësohen të jenë me rreth 13% rënie.
Italia. Kërkesa e lartë dhe çmimi i lartë për qepët është shfaqur në Itali. Tregu i qepëve është në një periudhë të vështirë që do të thotë që çmimet janë më të larta se nivelet e viteve të kaluara. Në veçanti, qepa e verdhë është shumë e kërkuar dhe importet në Itali janë vështirësuar. Gjermania dhe Austria kanë ndaluar eksportet. Holanda realizon eksporte por vetëm me çmime të larta: 0,70 € pa përfshirë transportin. Qepët kanë filluar të vijnë nga Egjipti me 0,70-0,8 € me transport të përfshirë.
Spanja. Çmimet spanjolle të qepëve arrijnë nivele të papara për shkak të mungesës globale. Prodhimi spanjoll i qepës së vonshme ka rënë këtë sezon me 45 deri në 50% në krahasim me vitet e mëparshme. Sipërfaqja e përkushtuar ndaj kësaj kulture është ulur me afro 30% për shkak të rezultateve të dobëta të arritura në mbjelljet e mëparshme. Kërkesa për qepë ka qenë e lartë që nga fillimi i të mbjellave dhe çmimet janë rritur në nivele të papara. Shpresohet që qepa pranverore e vitit 2023 mund ta rregullojë situatën e kerkesës nga tregjet europiane, por nuk pritet të ulet më shumë se 60-65 cent/kg.
Prodhimi i qepës parashikohet të arrijë në 102 milion ton deri në vitin 2026. Kjo është një rritje prej 0.5% nga viti në vit që nga 2017. Kina kryeson prodhimin me 25 milion ton, e ndjekur nga India, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti.
Sa kushton dhe çfarë përfitimi ka kultivimi i qepës në një sipërfaqe prej 1ha?
Sipas kalkulimeve të kartave teknologjike që NOA ka zhvilluar, kosto e kultivimit të një sipërfaqe prej 1 ha është 1,253,000 lekë. Nëse respekohet agro-teknika e këshilluar nga specialistët e agros pranë NOA-s, arrihet të sigurohet një rendiment prej 600kv/ha qepë e njomë me një fitim neto prej 1,147,000 lekë.