21.09.2023

Këshillimi Smart - Hidet

Përfitueshmëria e kultivimit të hides (kimca)

Hidja është një frut me origjinë nga Kina e largët me mbi 4,000 vjet që kultivohet në të gjithë botën me më shumë se 400 varietete. Në Shqipëri, në varësi të zonave ku kultivohet njihet me emrin ide (Shqipëria e mesme), xinxifille (në zonat e jugut) dhe kimca (në zonat e veriut). Hiden e gjen të kultivuar në Tiranë, Durrës, Krujë, Lezhë, Shkodër, Lushnjë, Fier dhe Berat.

Hidet përmbajnë magnez, kalcium, fosfor dhe hekur. Ato përmbajnë 20 herë më shumë vitaminë C se çdo agrume tjetër, që forcon sistemin imunitar dhe lufton infeksionet duke u përdorur si ilaç mjekësor në formën e çajit (përzier edhe me disa bimë medicinale) për mijëra vjet në shumë kultura në botë. Përfitueshmëria e kultivimit të hides lidhet edhe me përdorimin e frutit për konsumim, bërthamës së frutit dhe gjethes për mjekësi, si dhe trungut të saj si dru dekorativ.

Kultivimi i hides dhe shërbimet agro-teknike

Hidja është një pemë që përballon temperaturat ekstreme dhe lulëzon në kushte mjaft të thata. Cilësia e frutave është më e mira në kushte të nxehta, me diell dhe thatësirë, por duhet të ketë një sezon me shi për të mbështetur rritjen dhe lulëzimin e zgjatur, duke siguruar lagështi të mjaftueshme të tokës për të çuar frutin deri në maturim. Është e njohur për aftësinë e saj për t'i bërë ballë kushteve të pafavorshme, të tilla si kripësia, thatësira dhe ujin e tepërt. Në vendet aziatike pemët japin 80 deri në 200 kg fruta të freskëta në vit, kur pemët janë në moshën e tyre të prodhimit 10-20 vjeçare. Në këto vende për ngritjen e pemishteve distanca e rekomanduar është 7 x 7 m ose 8 x 8 m.

Në Shqipëri format intensive të kultivimit të hides kanë rezultuar me sukses, në distanca  3 x 4 m ose 4 x 4 m, pra 600-800 rrënjë/ha. Hidja nuk kërkon krasitje në 7-8 vitet e para, dhe arrin të hyj në prodhim në vitin e 4-t duke siguruar një prodhim me rreth 10 kg/pemë. Në vitin e 10-të arrin të hyjë plotësisht në prodhim duke siguruar një prodhim rreth 20-25 kg/pemë. Hidja nuk ka kërkesa për spërkatje apo plehrim (nuk pranon plehra kimike) për arsye të sistemit rrënjor delikat, por paraqet ndikim pozitiv ndaj plehrimit organik. Kërkon një ujitje të rregullt gjatë periudhës së verës, pra gjatë temperaturave të larta. Gjithashtu vlen të përmendet së kultivimi i hides kërkon fuqi punëtore më të madhe në vjelje se kulturat e tjera, nisur nga normativa e vjeljes 50 kg/person/ditë.

 “Fermerë, kultivoni produkte të veçanta të kërkuara nga tregu”

Në Shqipëri konsumi i hides është i lartë dhe mos-plotësimi i kërkesës së konsumatorit bën që 60% e kërkesës të plotësohet me hide importi me origjinë nga Greqia dhe Turqia. Ngritja e një pemtore me hide ka një kosto rreth 12,000 euro së bashku me sistemin mbështetës. Nisur nga kalkulimet e kryera nga ekspertët e NOA-s, kthyeshmëria e këtij investimi është jo më shumë se 6 vite nga periudha e mbjelljes. Të ardhurat nga kultivimi i hides shkojnë nga 15,000-20,000 euro/ha/vit.

“NOA Financon, NOA Këshillon”

 

Këshillime të tjera