12.01.2023

Investimet të zgjuara në sektorin e ullirit dhe vajit të ullirit

Në shekuj, ulliri ka pasur një rol të rëndësishëm në ushqimin dhe mjekësinë, mitologjinë dhe fenë e njerëzve në rajonin e Mesdheut. Pemët e para të ullirit u kultivuan në kohën parahistorike, 4000 vjet para Krishtit, në zonën e Azisë Qendrore. Pemët e ullirit u mbollën më pas në Mesdheun lindor ku prodhimi i ullinjve filloi 2000 vjet para Krishtit. Vaji i ullirit karakterizohet nga një aromë e shijshme dhe unike që vjen nga përbërës të ndryshëm (vitamina E, fenoli, steroli, lëndët aromatike etj.). Vaji i ullirit është burimi më i rëndësishëm i yndyrave në ushqimin mesdhetar, i cili përbëhet kryesisht nga perime dhe sasi të moderuara ushqimesh me origjinë shtazore.

Prodhimi në Europë arrin 1.46 milion ton vaj ulliri (4 milion ha ose 67% të prodhimit botëror), ku konsumuesit më të mëdhenj janë Spanja dhe Italia me 500,000 ton secila, ndërsa Greqia ka konsumin 11.5 kg/frymë.

Spanja prodhoi 1.3 milion ton vaj ulliri në vitin 2021, duke përbërë 42% të prodhimit global të vajit të ullirit. Italia është prodhuesi i dytë më i madh i vajit të ullirit në botë, me rreth 315 mijë ton në vitin 2021. Prodhues të tjerë të mëdhenj të vajit të ullirit janë Tunizia (240 mijë ton), Turqia (228 mijë ton), Greqia (225 mijë ton) dhe Maroku (200 mijë ton).

Spanja është gjithashtu eksportuesi më i madh i vajit të ullirit, me një pjesë prej 49% në 2021, e ndjekur nga Greqia (13%), Italia (11%), Tunizia (11%) dhe Portugalia (10%).

Nga lufta në Ukrainë, për arsye të prodhimit (proçesimit) të madh, ulje të këtyre tregjeve, mendohet që do ketë një rënie në konsum me 7%.

Vendet jo-prodhuese por konsumuese të vajit të ullirit janë Franca me 126,000 ton (482 milion Euro), Gjermania me 77,000 ton, Belgjika me 14,000 ton, Poloni-Hollandë-Suedi me 12,000 ton.

Sektori i vajit të ullirit në Shqipëri

Ullinjtë janë ndër kulturat më të rëndësishme të pemëve frutore të kultivuara në Shqipëri, duke mbuluar rreth 8-9% të tokës së punueshme. Sektori i ullirit dhe vajit të ullirit është një segment i rëndësishëm i prodhimit primar dhe i agro-industrisë shqiptare.

Në fund të viteve 1990, ullishtaria zinte mbi 45,200 hektarë tokë me një inventar fizik rreth 6 milionë rrënjë.  Gjithsej numërohen pothuajse 10.7 milion pemë ulliri, me më shumë se 28 lloje – mesdhetare tipike. Me përjashtim të varietetit Frantio të futur nga Italia, tetë varietetet e tjera të kultivuara më shpesh janë  varietet: “Kalinjot”, “Krypi Beratit”, “Bardhi i Tiranës”, “Krypsi i Elbasanit”, “Mixan” dhe “Himara”, të cilat zënë dhe 85% të prodhimit në vend dhe janë të një cilësie shumë të lartë. Dy  varietet kryesore që udhëheqin  janë “Kalinjot”, i cili mbulon rreth 30-40% të plantacioneve totale për përdorimin e vajit dhe tryezës dhe “Kokërrmadhi i Beratit”, që përfaqësojnë afërsisht 21% të ullinjve të tryezës (nga 12% që zë i gjithë volumi i ullirit të tavolinës).

Zona e prodhimit të ullirit në Shqipëri mbulon të gjithë bregdetin nga Saranda (në jug) deri në Shkodër (në veri) dhe luginën e lumit në brendësi në rrethet e Peqinit/Elbasanit, Beratit/Skraparit dhe Tepelenës/Përmetit. Prodhimi i ullirit është i përqendruar në qarqet e Beratit (13,53% e prodhimit total) dhe Vlorës (18,43%) e ndjekur nga Fieri (31,08%) dhe Elbasani (19,15%), të cilët së bashku përbëjnë 82% të prodhimit total në Shqipëri. Bazuar në të dhënat e INSTAT, gjatë vitit 2021 është prodhuar në total 110,164 ton ullinj, nga ku për përpunim janë 96,500 ton dhe për ullinj tavoline janë 13,665 ton.

Ullishtaria në Shqipëri paraqet një potencial të lartë në krahasim me shumë vende të tjera nisur nga fakti që bazohet në numrin e pemëve për frymë, dhe paraqitet si më poshtë:

Konsumi i vajit të ullirit paraqet një rritje në 5 vitet e fundit, 5 kg/frymë, ndërkohë që rekordin e konsumit e mban Greqia me 11.5 kg/frymë, Spanja me 10.6 kg/frymë, Italia me 7.5 kg/frymë.

Ndërkohë që në konsumin e ullirit të tavolinës, Shqipëria është vendi me konsumin më të madh të ullirit të tavolinës me rreth 10 kg/frymë ullinj.

Ndërkohë në Shqipëri operojnë rreth 400-450 njësi përpunimi ulliri nga të cilat 40% janë investime të reja dhe me një teknologji shumë të përparuar. Shumica e njësive të përpunimit kanë një kapacitet përpunues prej 3-5 kuintal në orë.

Ashtu si në vendet e tjera të rajonit dhe Europës, prodhimi i vajit të ullirit në Shqipëri ka karakter sezonal i cili mund të ndikohet nga faktorë të ndryshëm si kushtet klimatike, masat agroteknike, stina, moti etj. Shqipëria prodhon rreth 13,000 ton vaj ulliri ne vit, ndërkohë që kjo sasi pritet të ketë një rritje për arsye të hyrjes në prodhim të ullishteve të reja, por edhe kushteve të motit apo shërbimeve agroteknike të përmisuara. Parashikohet që Shqiperia do arrijë një sasi vaji ulliri të prodhuar në volumin e 25,000-28,000 ton.

Teknologjia e lartë e investuar nuk është përcaktuese e cilësisë së vajit të ullirit të prodhuar. Këto cilësi varen nga:

-       Mënyra e vjeljes dhe koha që vilet;

-       Shpejtësia e dërgimit në përpunim;

-       Proçesi termik i prodhimit të vajit ullirit, temperatura e ujit;

-       Mënyra e ruajtjes së vajit ullirit;

Si paraqitet tregtia e vajit të ullirit në EU dhe në vendet e Ballkanit

Nga të dhënat e statistikave Europiane, rezulton që importet e vajit të ullirit në vendet Ballkanike si Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë:

Maqedonia e Veriut - Ka importuar 2.65 milion USD me një volum 616 ton, import ky që e ka origjinën nga: Greqia 1.09 mil $ = 238 ton, Italia 1.23 mil $ = 308 ton dhe Shqipëria 33,185 $ = 6.6 ton.

Serbia - Ka importuar 9.8 milion USD me një volum 2,112 ton, import ky që e ka origjinën nga: Greqia 1.36 mil $ = 264 ton, Italia 6.37 mil $ = 1,358 ton dhe Shqipëria 2,641 $ = 0.7 ton.

Shqipëria - Ka importuar plot 1231 ton vaj ulliri me vlerë rreth 4.26 milion USD. Pra importi rezulton me një vlerë prej 3.46 $/kg ose rreth 350 lek/kg. Ndërkohë Shqipëria ka eksportuar 100 ton vaj ulliri me një vlerë prej 463,559 USD, pra 1kg=4.6$ ose 470 lek/kg.

Cilat janë pengesat e aksesimit të tregjeve të brendshme dhe të jashtme?

Shqipëria duhet të synojë të paktën eksportimin në vëndet Ballkanike ku vlera financiare, volumi i përthithur dhe mungesa e këtij produkti në këtë rajon e bën Shqipërinë aktor potencial. Mundësitë janë, por duhet një organizim më i mirë i hallkës grumbulluese/eksportuese dhe ndërkohë përmisime në aspektin e proçesit të vjeljes për të rritur efikasitetin, uljen e kostove dhe përmisimin e cilësisë së ullirit për përpunim. Fabrikat e vajit të ullirit duhet të organizohen që të kryejnë një rol të rëndësishëm në grumbullimin e sasisë së vajit të prodhuar, gjë që do eliminojë shitjet informale që fermerët kryejnë.

Sipas Drejtorit të Agrobzinesit në Institucionin Financiar NOA, Z.Fatmir Nikolli, zinxhiri i vlerës së shtuar në sektorin e ullirit (nga kultivimi deri tek konsumatori) ka nevojë për disa investime plotësuese që lidhen me përmisimin e vjeljes së ullirit, depozitimit të vajit të ullirit, linja për amballazhimin dhe etiketimin e produktit final. Kjo nisur nga fakti që numri i fabrikave të vajit të ullirit është relativisht i lartë, dhe ndërkohë që edhe teknologjia paraqitet në nivele të kënaqshme.

Vjelja e ullirit

Në përgjithësi, periudha e vjeljes së ullirit është nga tetori deri në fund të dhjetorit. Por faktorët që përcaktojnë kohën e duhur janë të shumtë, siç është lloji i ullirit (i hershëm ose i vonë), për çfarë kërkojmë ta përdorim (për tavolinë ose për vaj ulliri), lloji i vajit të ullirit, kushtet e motit etj.

Në rastin e ullinjve të tavolinës, fruti duhet të jetë i madh dhe i pasur me tul, ndërsa për të marrë një vaj të ëmbël dhe me pak aciditet, fruti nuk duhet të jetë tepër i pjekur.

Për të prodhuar vaj me cilësi më të mirë, fruti duhet të vilet kur ai ndryshon ngjyrën, d.m.th kur ka përmbajtjen më të lartë të vajit dhe shijen më të mirë. Në vitet e fundit, janë shfaqur shumë pajisje mekanike për të ndihmuar në marrjen e frutave, por ato ende nuk përdoren gjërësisht, pasi në shumicën e zonave kjo bëhet në mënyrën tradicionale, pra punëtorët tundin degët me shkopinj ku ulliri mblidhet në rrjeta.

Ekzistojnë disa metoda të vjeljes së ullirit; metoda tradicionale (manuale) dhe ajo mekanike:

a) Metoda Manuale

Vjelja me dorë e ullinjve është mënyra më e mirë, por, kjo metodë vjeljeje është shumë e kushtueshme dhe kërkon kohë pune. Zgjatja e proçesit nga vlelja deri tek fabrika e përpunimit nuk duhet të kalojë 48 orët, sepse ulliri fillon të ulë vlerat ushqyese.

b) Metoda Mekanike

Kjo medotë e vjeljes realizohet më shpejtë dhe brenda një kohe më të shkurtër. Për të hedhur kokrrat e ullirit mbi rrjetë të duhet një krehër ose makineri (stekë shkundëse) e cila falë baterisë apo motorrit bën të mundur lëvizjen e shpejtë të kokës dhe rrjedhimisht shkundjen e plotë të degëve.

 

Pas shkundjes ulliri mblidhet në rrjeta. Mirë është të përdoren arka ose kova të përbëra nga plastikë ushqimore, të sigurta në mbledhjen e ullirit.

Ruajtja e vajit të ullirit

Vaji i ullirit duhet të ruhet në vende që nuk janë të ekspozuar direkt nga drita e diellit. Gjithashtu edhe nxehtësia ka shumë ndikim tek vaji i ullirit. Kjo gjë mund të reduktojë benefitet shëndetësore dhe vlerat e vajit të ullirit. Teknologjia e depozitimit, ruajtjes së vajit ndahet midis prodhuesve të mëdhenj (fabrikat e vajit të ullirit) dhe ruajtje nga konsumatori. Armiqtë kryesorë të vajit në ruajtje janë ajri, nxehtësia dhe drita. Kryesisht janë dy llojet më të mira për mbatjen e vajit: enët e inoxit dhe ato të qelqit me ngjyrë të errësuar.

Ruajtja në plastikë ose qelq të tejdukshëm dhe në cisterna inoksi

Vaji i ullirit është i ndjeshëm, kështu që ndryshimi i oksigjenit mund të sjellë edhe ndryshime të shijes dhe komponentëve të tij. Kjo e bën të domosdoshëm investimin në  kontenierë për vaj ulliri, duke shmangur plastikën dhe qelqin e tejdukshëm. Plastika mund të ndryshojë nivelet e oksigjenit në të, ndërsa xhami i tejdukshëm e bën më të ndjeshëm ndaj dritës dhe nxehtësisë. Edhe depozitat e qelqit me ngjyrë të errët janë shumë të pranueshme për ruajtjen në ambjente shtëpie. Vaji i ullirit i prodhuar nga linjat teknologjike duhet të depozitohet në cisterna inoksi në formë konike.

 

Ajo që vërehet në Shqipëri është që shumica e fabrikat të përpunimit të vajit të ullirit janë të drejtuara më shumë në përpunim për të tretë (për fermerë) dhe shumë pak janë ato që i japin produktit një vlerë të shtuar duke kryer depozitimin e tij, amballazhimin dhe etiketimin për treg ose eksport.

Për të patur një vjelje sa më cilësore duhet të merren parasysh këto çështje:

- Të përdoren rrjetat plastike për të evituar çdo kontakt të frutit me tokën;

- Nuk duhet që gjatë vjeljes pema të goditet pasi dëmtohen degët prodhuese të vitit të ardhshëm.

Bazuar në kalkulimet e kartave teknologjike në ullishte, kosto e procesit agro-teknik, zëri “vjelje ulliri” për një sipërfaqe 1 ha ullishte me rreth 400 rrënjë kushton 160,000 lek – shpjegon z.Nikolli.

Ky proces kërkon 64 ditë punë për vjelje, ose 8 punëtorë për rreth 8 ditë pune. Vlera e një dite pune është 2500 lek, pra një kosto prej 160,000 lek.

Pra, nëse një ullishtar investon, qoftë edhe me kredi, në blerjen e një pajisje për vjeljen e ullirit që kushton 200,000 lekë dhe në rrjeta për grumbullimin e ullirit, investim ky që nuk e kalon vlerën e 50,000 lekëve, zvoglon me 60% koston e punëtorisë, dhe ky investim i kthehet në një periudhë kohe prej 2 vjetësh.

Ndërkohë që për familjarët apo fermerët e vegjël që e konsumojnë vajin e ullirit apo e tregtojnë me pakicë në rrethet e tyre familjare, kosto e një ene qelqi 50 lit për mbajtjen e vajit të ullirit kushton rreth 40,000 lek.

Vlen të përmendet që fabrikat e vajit të ullirit duhet të investojnë, qoftë edhe me grantet e IPARD-it, në cisterna inoksi, linja amballazhimi dhe etiketimi (të kërkuara nga ligji për vajin e ullirit Nr 87/2013), vlera investimi që variojnë nga 50,000 – 100,000 euro.

Këshillime të tjera