23.04.2021

20 vite NOA

NOA është një institucion financiar shqiptar i specializuar në sektorin e mikrofinancës, iniciuar 20 vite më parë si një projekt i USAID. Qëllimi i këtij projekti ishte ambicioz : në një vend pa trashëgimi të edukatës dhe kapitalit sipërmarrës, një nismë e vogël mikrofinanciare mund të sillte potencialisht një ndryshim të realitetit të të bërit biznes në vend. Pas dy dekadash financimesh dhe zgjerimi konstant të aktivitetit, NOA ka dalë përfundimisht nga inkubimi i një projekti mbështetur nga komuniteti i donatorëve të huaj, për t’u kthyer në një institucion financiar të qëndrueshëm, performant, të pavarur, e të vetë-financuar. 

Aktiviteti i NOA-s bazohet në atë që gjerësisht njihet si financa sociale. Kjo ka të bëjë me krijimin e një marrëdhenieje njerëzore cilësore me klientët, në mënyrë që linjat e financimit të jenë sa më të përshtatura ndaj mikro-realitetit të përfituesit. Financa sociale përmbledh gjithashtu investimin në promovimin e edukimit financiar, mbështetjen e formalizimit të aktivitetit të fermerit apo sipërmarrësit të vogël, por dhe nxitjen e zgjerimit të aktivitetit të tij, si në rrafshin ekonomik ashtu dhe në atë njerezor. 

Ky 20 vjetor i NOA-s simbolizon një gurthemeli në aktivitetin tonë. Eshtë një moment që simbolizon peshën e madhe të investimeve të kaluara për të aritur konsolidimin e sotëm, por njëkohesisht mundësinë e ngritjes së themeleve të reja, për ambicie dhe më të mëdha nga ato të shkuarat. Ndaj ky përvjetor i sotëm është konfirmimi i një rrugëtimi të drejtë dhe të suksesshëm në shërbim të familjes, fermës dhe sipërmarrjes së vogël shqiptare. Është vetëm falë rritjes së financimit për këtë grupim që mund të ndihmojmë zhvillimin e zonave rurale në vend, reduktimin e emigrimit te të rinjve dhe braktisjen e vendit. Ne synojmë dhe duhet të jemi në krah të individëve që kanë ambicie për veten e tyre, për familjen e tyre, për biznesin e tyre.

NOA beson fuqimisht tek forca e sipërmarrësit shqiptar, tek inovacioni, tek mendësia sfiduese e çdo sipërmarrësi ambicioz. Për 20 vite, ne jemi përpjekur maksimalisht të jetësojmë ambiciet që rezultojnë jo vetëm nga aktiviteti ynë, por nga ekspozimi ynë ndërkombëtar, të zbatojmë praktikat më të mira të sektorit të mikrofinancës, të investojmë në dhjetëra trajnime dhe ekspertiza ndërkombëtare. Në ketë sens, ne krenohemi me standardin që arrijmë të prodhojmë nën flamurin tonë shqiptar dhe që punojmë fort për të mos mbetur kurrë prapa zhvillimeve të praktikave më të mira të mikrofinancës europiane. Pas 20 vitesh aktivitet, mund të themi pa asnjë ndrojë që NOA ja ka dalë me sukses në këtë ambicie. Ky ka qënë misioni ynë në të shkuarën. Ky do të jetë misioni ynë dhe për të ardhmen. Të ofrojmë më të mirën, standardin më të lartë, në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo fazë për sipërmarrësin, fermerin dhe familjen shqiptare.

Të reja të tjera