23.04.2021

"Ju duhet të përmirësoni çdo gjë që prekni, të lini markën tuaj “foot-print” si një pikë reference për të tjerët. " , fjala e CEO-s së NOA për studentët e UET

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive NOA sh.a., gjatë Ceremonisë së Diplomimit, në UET, mbajti për studentët “fjalimi i fillimit të jetës”

Shumë prej jush mund të kenë 4-5 vite që janë studentë pranë Universitetit Europian të Tiranës, gjatë të cilëve merrni pjesë në dhjetëra e qindra ndërhyrje mbi ekonominë, mbi tregun e punës, mbi historinë e demografinë e vendit tonë, mbi zhvillimet më të fundit të sektorëve që keni zgjedhur të studioni. Duke pasur parasysh këtë fakt, nuk është aspak e lehtë që të zhvillosh ndërhyrjen e fundit, seancën e fundit, një seancë ku nuk ju kërkohet as të mbani shënime, e as të paraqiteni në ndonjë provim. Dhe për pasojë, duke qenë se nuk e keni humbur ende vëmendjen, e me shpresën që nuk do të largoheni pa mbaruar këtë ndërhyrje timen, më lejoni në radhë të parë t’ju përgëzoj që keni mbërritur në këtë “finish”; në këtë çast, shpërblimi ndaj mundimeve, jam e bindur dhe ndaj sakrificave të shumta që keni kaluar për të mbërritur deri këtu.


Urimet më të mira gjithsecilit prej jush! Fundi i studimeve universitare është hapi i parë drejt integrimit të botës profesionale, hapi i parë ndaj pavarësimit financiar e profesional. Hapi i parë, që shumë prej jush, të dilni dhe nga strofka e prindërve tuaj, duke braktisur rehatinë që ata sigurojnë. Do ta shihni që nuk është aq e vështirë të gatuani apo të mbani shtëpinë në rregull dhe vetëm. Dhe një herë urimet më të mira gjithsecilit prej jush! Siç thashë pak më herët, kjo është ndërhyrja e fundit që do të dëgjoni në UET dhe si e tillë, besoj se kam mirëkuptimin tuaj për mesazhet e drejtpërdrejta që po ndaj me ju:

Në rrafshin personal, si fillim. Si një CEO i një institucioni financiar me 250 punonjës, mesazhi i parë që do të ndaja me ju, sot që jeni përfundimisht të diplomuar, është: Nuk ekziston asnjë rrugëtim profesional i lehtë, i bukur apo komod, sado njohuri të mira të keni marrë! Prandaj, nëse doni ta lehtësoni sadopak këtë rrugëtim, është e rëndësishme duke filluar nga sot t’i vendosni vetes një qëllim madhor: “Ju duhet të krijoni impakt, pavarësisht kompanisë, pjesë e së cilës do të jeni apo do të krijoni dhe pavarësisht pozicionit të punës që do të keni”.

Ju duhet të ndryshoni gjërat, të influenconi ambientet në të cilat do të ndodheni, të përmirësoni çdo gjë që prekni, të lini markën tuaj “foot-print” si një pikë reference për të tjerët. Kjo do ta kthejë rrugëtimin tuaj profesional në një seri arritjesh dhe do t’ju sigurojë kënaqësi dhe adhurim për punën tuaj, sigurisht dhe krenari për veten tuaj. Kjo gjithashtu do të jetë pritshmëria e çdo punëdhënësi për ju dhe duhet të jetë edhe pritshmëria juaj për çdo punëdhënës. Si një grua, dua t’u adresohem në veçanti vajzave.

Asnjë barrierë nuk është e pakalueshme, asnjë sfidë nuk është e papërballueshme, asnjë partner, asnjë mashkull, askush nuk ka të drejtë t’ju vendosë fre ambicieve tuaja. Jini vetvetja dhe refuzoni gjithmonë çdo mentalitet, çdo zakon, çdo prapambetje që kërkon të frenojë potencialin e femrës që ju përfaqësoni. Në sektorin bankar shqiptar, nuk ka shumë femra CEO, por unë ju garantoj që askush, përpos vetvetes, nuk ju pengon që një ditë të bëheni të tilla. Ndaj uroj vërtet që mes vajzave këtu, të jetë pse jo, CEO-ja e ardhshme e NOA-s. Si një nënë e dy fëmijëve, dua t’ju them të mos neglizhoni kurrë rëndësinë e familjes. Aty formohen vlerat tuaja si një njeri, si një individ, por dhe si një profesionist. Nëse arrini të gjeni ekuilibrin e duhur mes energjive të investuara në punë dhe energjive të investuara për familjen tuaj, atëherë ju siguroj që do të jeni shumë afër çelësit të lumturisë.

Mos sakrifikoni kurrë familjet tuaja, pasi në çdo sektor që do të punoni në të ardhmen, familja është “klienti” kryesor. Si në sektorin publik, apo në atë privat, si në sektorin bankar, në sektorin e ndërtimit, apo dhe të shërbimeve, do të shikoni që një pjesë e mirë e ekonomisë rrotullohet rreth familjes. Nëse do të dini të jeni një familjar i mirë, kjo e vlefshme si për djemtë ashtu dhe për vajzat, dijeni se do të arrini të jeni dhe profesionistë të arrirë. Së dyti, në rrafshin e biznesit. Besoni në sipërmarrjen në Shqipëri! Besoni tek ekonomia e lirë, te fuqia e kapitalit, te marrja përsipër e oportuniteteve që ofron biznesi. Mos bini pre e mendimit masiv, se në Shqipëri nuk ka të ardhme. Përkundrazi, sa më shumë të jetë i përhapur ky mendim, aq më shumë vend ka për të rinj si ju që kanë etje për të qenë të suksesshëm, etje për t’u pavarësuar, etje për të qenë pronar; kini etje për të ndërtuar vetë të ardhmen tuaj, e jo për t’u viktimizuar prej saj… Sipërmarrja ju mundëson ngritjen në ashensorin social, rritjen e mirëqenies suaj personale e familjare, zhvillimin e vendit tonë. Ndaj pa asnjë drojë ju them se sipërmarrësit janë heronjtë e kohëve moderne, sepse ata sjellin zhvillim, liri dhe meritokraci. Jini të matur dhe të mirorganizuar në hapat tuaj të parë.

Nuk jua fsheh që të gjitha studimet dalin në një përfundim, 80% e startup-eve, ose e sipërmarrjeve të reja dështojnë. Por kjo vjen, pasi sistemi akademik në të shkuarën nuk i ka përgatitur të rinjtë me njohuritë e nevojshme në të bërit biznes. Sot nuk është më kështu. Unë e di që ju të gjithë keni bërë lëndë si menaxhimi, si financa, e drejta private, marketingu etj. Kthejini dijet tuaja akademike në praktika të së përditshmes. Mendoni një plan biznesi, analizoni tregun, dhe kur gjërat nuk do të ecin siç kishit menduar, adaptohuni duke u bazuar sërish me një plan biznesi dhe analiza tregu të përditësuara. Flisni me miqtë tuaj, merrni këshilla, por duke lënë mënjanë dyshimet dhe njerëzit skeptikë, kërkoni informacion të specializuar dhe kurrë mos reshtni së pyeturi. Nuk është turp të mos dish, turp është të mos kërkosh ndihmë. Së treti, në rrafshin profesional.

Mos reshtni kurrë së mësuari. Diploma juaj nuk është fundi i një procesi të mësuari. Përkundrazi, do ta shikoja si një “vërtetim” që dëshmon se ju jeni në gjendje të mësoni, të rriteni intelektualisht, të zhvilloni aftësi të reja, të përmirësoni njohuritë tuaja, të thelloni specializimin tuaj. E ripërsëris, shikojeni diplomën jo si fundi i një procesi të mësuari, por si një motivacion për të mos reshtur kurrë së zhvilluari njohuritë tuaja. Jetojmë në një botë në ndryshim të përhershëm dhe kur dëgjoni fjalën ndryshim, duhet të nënkuptoni nevojën tuaj për t’u adaptuar, për të mësuar njohuri të reja, për të ndjekur procese, metoda e praktika të reja. Nuk janë vetëm teknologjitë e reja, por dhe migrimi i rritur gjeografik – sot shqiptarët po integrojnë çdo treg pune anembanë botës; shpejtësia e të bërit biznes luan një rol të rëndësishëm – klienti e kërkon produktin në çast, nëse nuk mundesh, ai do të zgjedhë konkurrencën; punëmarrësit kërkojnë që stafet e tyre të jenë multitasking – duhen njohuri kompjuterike të thelluara, por dhe certifikata profesionale të përditësuara si menaxher, si fiskalist apo jurist. Sot, një diplomë nuk mjafton për të të dhënë një profesion.

Nevojitet të jeni duke mësuar në një mënyrë konstante. Mësoni pra që të mos reshtni kurrë së mësuari. Jini gjithmonë të drejtë, etikë dhe pozitiv. Disa prej jush mund të dekurajohen nga padrejtësitë që mund të hasin në vendet e punës që do të integrojnë së shpejti. Mungesa e transparencës dhe e meritokracisë, nepotizmi, paaftësia apo dhe korrupsioni në punë, mund t’ju duken si të papërballueshme, dhe si arsye e mjaftueshme për t’iu bashkuar armatës së emigrantëve shqiptarë. Nisur dhe nga eksperienca personale në sektorin financiar prej 17 vitesh, unë ju them se jo gjithçka që dëgjoni është e vërtetë. Ndaj ju lutem të mos bini pre e thashethemeve, e xhelozive, e mediokritetit profesional!

Jini të drejtë në ambiciet tuaja, mos i paragjykoni gjithmonë eprorët tuaj; jini etikë ndaj kolegëve, duke treguar respekt ndaj njeriut në radhë të parë; jini pozitivë përballë sfidave që hasni, nuk jeni të parët që hasni vështirësi dhe jo, nuk ka një komplot kundër jush… Jini pra gjithmonë të drejtë, etikë dhe pozitivë, ky është çelësi më i mirë për të filluar një karrierë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Me këto mesazhe më lejoni pra ta mbyll fjalën time paksa të gjatë, me shpresën që diçka do t’ju mbetet në kujtesën tuaj. Urime dhe një herë të gjithëve dhe mos harroni, tani nuk jeni më studentë, dhe është pikërisht momenti më i bukur, fillimi i rrugëtimit tuaj profesional! Shijoni çdo moment të jetës suaj të re!
   

Të reja të tjera