23.04.2021

Potenciali i bujqësisë shqiptare dhe mundësitë e financimit

Me marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian, Shqipëria hyri në nje fazë të re në proceset euroatlantike, duke përfituar mundësinë e shfrytëzimit të fondeve të vendosura në dispozicion për mbështetje në plotësimin e kritereve për anëtarësim.

Instrumenti për Asistencë Para-Anëtarësimit për Zhvillimin Rural (IPARD), synon përgatitjen e sektorit të agrobiznesit drejt plotësimit të kërkesave së “aquis communitaire”, zbatimin efikas të programit dhe shfrytëzimin e fondeve të BE-së.

1. Si paraqitet aktualisht bujqësia shqiptare?

Bujqësia mbetet një nga sektorët me potencial më të madh në Shqipëri. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, kontributi i këtij sektori në prodhimin e brendshëm bruto në vitin 2017 ishte rreth 20%, pothuajse dyfishi i kontributit të të njëjtit sektor në vendet e rajonit (Kosovë 13.7%, Maqedoni 11.2%, Mali i Zi 10.2%, Serbi 9.46%). Gjithashtu, ky sektor dominon tregun e punësimit duke punësuar rreth 44.26% të totalit.

Në vitin 2014, Qeveria Shqiptare miratoi programin për “Strategjinë Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor 2014-2020”, me qëllim mbështetjen, promovimin dhe zhvillimin e zonave rurale dhe bujqësisë, e reflektuar në një rritje të buxhetit nga viti në vit, duke arritur në plot 20 milion Euro të buxhetuara në vitin 2018, në formë subvencionesh dhe grantesh.

Pavarësisht hartimit të këtij programi, objektivave të vendosura për t’u arritur në fushën e bujqësisë dhe faktit që bujqësia po vijon të japë një kontribut të rëndësishëm në buxhetit të shtetit, ajo nuk po merr prej tij vëmendjen e duhur dhe vendi vazhdon të mbetet importues masiv i produkteve bujqësore, duke importuar rreth 5 herë më shumë sesa eksporton (sipas INSTAT). Kjo mungesë vëmendje e vendos sektorin e bujqësisë përballë sfidave të mëdha jo vetëm në prodhim, por edhe në gjetjen e burimeve të financimit.

Megjithatë, vitet e fundit është shënuar një progres i ndjeshëm në bujqësi. Programi i subvencioneve të drejtpërdrejta nga buxheti shtetit i iniciuar në vitin 2008 dhe në vazhdim, ka dhënë frytet e tij duke dyfishuar prodhimin vendas dhe ulur ndjeshëm defiçitin tregtar. Kjo ka ndikuar në rritjen e sipërfaqeve të mbjella dhe përfitimin nga subvencionet e rreth mesatarisht 7,000 fermerëve në vit.

Por, theksi më i madh duhet t’i jepet mbështetjes financiare për investime në vend të pagesave të drejtpërdrejta. Investimet kanë tendencë të rrisin më mirë produktivitetin bujqësor gjatë një periudhe më të gjatë kohore dhe në të njëjtën kohë janë një mundësi më e mirë për penetrimin e tregjeve Europiane. Kjo pasi fermerët e vegjël kanë pak burime të brendshme dhe duhet të kërkojnë zgjidhje të jashtme, ndërkohë që institucionet financiare nuk janë ende gati të trajtojnë investimet afatgjata bujqësore. Bankat janë më të gatshme të japin kredi për fermerët për projektet investuese të cilat mbështeten me grante në masën 50-60%. Kjo përcakton rolin e rëndësishëm të programeve të granteve për investime.

Fondi IPARD, si pjesë e instrumentit IPA, i është dedikuar vendeve kandidate për anëtarësim të barabartë në Bashkimin Europian, si dhe përgatitjes së tyre për shfrytëzimin e programeve para anëtarësimit për zhvillim bujqësor dhe rural. Kapaciteti absorbues për shfrytëzimin e fondeve të BE-së, paraqet aftësinë me të cilën vendi kandidat është në gjendje t’i shfrytëzojë burimet në mënyrë efikase dhe efektive. Duke e parë nga pozita kombëtare, ky kapacitet varet nga tre faktorë: situata makroekonomike, mundësitë për bashkëfinancim dhe kapaciteti administrativ.

2.  Çfarë nënkupton bashkë-financimi në bujqësi dhe si lidhet kjo me grantet?

Shqipëria sapo ka marrë të drejtën e aksesimit të granteve IPARD, program i iniciuar në Dhjetor të vitit 2018 me një vlerë financimi rreth 17 milion Euro në vit (përfshirë edhe kontributin e Qeverisë Shqiptare). Mbështetja e sektorit bujqësor me grante ka një veçori që lidhet me pamundësinë e pagesave në avance për realizimin e planeve të investimit të kontraktuara. Kjo detyrimisht kërkon për pjesen më të madhe të përfituesve mbështetje nga sistemi bankar dhe institucionet mikro-financiare.

Në këtë kontekst, duket se ka ardhur koha që bankat dhe institucionet mikro-financiare ta vlerësojnë dhe trajtojnë kredinë për sektorin bujqësor përtej praktikës që përqëndrohet në përfitimet afatshkurtra. Institucionet financiare duhet të kuptojnë më mirë specifikat e bujqësisë dhe sfidat me të cilat haset ky sektor, duke përshtatur produkte dhe shërbime financiare me veçori inovative që rrisin efikasitetin e fondeve. Praktikat e vendeve fqinje dhe vështirësitë me të cilat ato u ndeshën në zbatimin e investimeve të kontraktuara nga grantet IPARD si rrjedhojë e aksesit të ulët në sistemin bankar, duhet të marrin vëmendjen dhe vlerësimin e këtyre institucioneve në Shqipëri.

3.  NOA sh.a. promotore e mbështetjes së bujqësisë

NOA ka një mision të qartë dhe praktik, i cili është fuqizimi ekonomik i familjes dhe biznesit, si një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare në zonat urbane dhe rurale. Institucioni është i pozicionuar pranë klientëve duke u shtrirë me 26 degë në 14 rrethe të vendit, dhe mbuluar gjeografikisht 95% të territorit shqiptar. Vëmendja e institucionit drejt zhvillimit të bujqësisë është evidente kur shihet që financimi i aktiviteteve agro zë një peshë prej 25% të tërësisë së aktiviteteve ekonomike të financuara nga kompania, duke patur rreth 2,700 klientë akktiv dhe mbuluar me shërbim rreth 60% të zonave rurale.

NOA është operatori i dytë më i madh në sektorin e mikrokredisë qe ofron shërbime financiare duke mbështetur sipërmarrës të të gjithë sektorëve përfshirë prodhimin, bujqësinë, blegtorinë, tregtinë dhe shërbimet, duke zhvilluar një portofol kredie cilësor dhe të diversifikuar. Ajo që e dallon këtë institucion nga operatorët e tjerë të mikro-kredisë janë:

Produkti – Hartimi i një gamë produktesh financiare të cilat janë në përputhje dhe harmoni me aktivitetet bujqësore duke i vënë një theks të veçantë fleksibilitetit, që i jep mundësinë klientit të zgjedhë skemën që i përshtatet më mirë mundësive të tij. Mundësia e pagesës me këste të përshtatura me sezonalitetin e ciklit të biznesit, bën dallimin e NOA-s me operatorët e tjerë financiar në treg.

Promovimi – Modelimi i një procesi fushatash promocionale të përqendruara në përfitimet e dhe avantazhet e produkteve dhe proceseve të shpejta, duke i bashkëngjitur shërbimit sesione këshillimi profesionale. 

Procesi – Investimet në teknologji dhe kreditimi nëpërmjet kryerjes se një analize tërësore të procesit në menyrë të automatizuar ka mundësuar reduktimin e periudhës së aprovimit deri në 3 ditë për shuma deri në 14 Milion Lekë.

Stafi – Investimet në rritjen e kapaciteteve të brendshme adekuate për t’i shërbyer me profesionalizëm agrobiznesit, duke mundësuar trajnime brenda dhe jashtë vendit ka rritur cilësinë e shërbimit por edhe të analizave financiare, duke ndikuar drejtpërdrejtë në një protofol kredie me cilësi të lartë.

Operimi në një nga sektorët më informal të ekonomisë, krijon një sfidë të vazhdueshme për procesin e kreditimit. Kjo sfidë megjithatë, ofron dhe një potencial unik për të forcuar pozicionimin lider në një segment ku institucionet e tjera financiare hasin vështirësi për të operuar.

Rritja ekonomike e viteve të fundit në Shqipëri,  është ndikuar pozitivisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe nga investimet ne sektorin bujqësor, të cilat janë mbështetur nga subvencionet dhe grantet e programeve të ndryshme nga shteti shqiptar, Bashkimi Europian dhe donatorë të ndryshëm, duke sjellë një përfitim direkt për rreth 10,000 agrobiznese në vit.

Mikrokreditë do të jenë dhe për shumë vite një faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik në vend dhe i financimit të sipërmarrësve dhe fermerëve të vegjël, faktor ky që përputhet me strategjitë dhe planin 5 vjeçar të zhvillimit në NOA.

Ilir Pilku

Këshilltar Agrobiznesi pranë NOA sh.a.

Të reja të tjera