13.12.2023

Markat shqiptare dhe rëndësia për zhvillimin e agroturizmit

Rëndësia e markës tregtare  për bizneset

Marka tregtare përfaqëson elementin kryesor që shërben për identifikimin e biznesit apo shoqërisë, ose me thjesht ato identifikojnë burimin e prodhuesit të produktit. Në periudhën e sotme të industrializimit të shoqërisë, zhvillimit me hapa të shpejtë të shkencës e teknologjisë së informacionit, regjistrimi i markës tregtare ka një rëndësi të veçantë. Pothuajse çdo biznes apo shoqëri zotëron një markë tregtare duke gëzuar njëkohësisht të drejtat që rrjedhin prej saj.
Por në këtë kuadër, jo pak biznese apo subjekte tregtare të veçanta në Shqiperi, nënvlerësojnë ose nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale. Kjo pakujdesi dhe papërgjegjshmëri e tyre çon shumë herë në shkelje të të drejtave të tyre nga palë të treta dhe më pas në konflikte gjyqësore të vazhdueshme e afatgjatë, me kosto financiare dhe humbje kohe, për çdo person fizik apo juridik.
Në këto kushte, është e domosdoshme  që çdo person fizik ose juridik që prodhon mallra apo ofron shërbime të caktuara në treg duhet të regjistrojë markën e tij për të gëzuar një mbrojtje sa më të plotë dhe rigoroze të të drejtave të pronësisë industriale. Njëkohësisht marketimi dhe patentimi për biznesin do të nënkuptonte dhe rritje të konkurrueshmërisë në tregun vendas dhe të huaj. Sepse nëse marka juaj është e certifikuar, besimi i klientëve tek produktet dhe shërbimet tuaja do të jetë më solid dhe ata do të jenë më të prirur për t’i blerë këto produkte.

Mrojtja e markës dhe produkti “Made in Albania”

Sipas ekspertëve, marketimi apo dhe certifikimi i patentës e bën më të lehtë shitjen e produkteve dhe e bën produktin “Made in Albania” jo vetëm të ketë vlerë në treg, por i rrit prestigjin edhe Shqipërisë.  Vitet e fundit bizneset e kanë kuptuar rëndësinë e regjistrimit të markës dhe patentës për të mbrojtur produktet e tyre  brenda standardeve ligjore që njihen botërisht. Një numër i madh sipërmarrësish në vend tashmë kanë regjistruar apo kanë marrë patentën për produktet e tyre.
Kjo vihet re edhe në aplikimet për patenta pranë DPPI të cilat janë në rritje. Kështu pranë DPPI-së  nga subjektet shqiptare, janë depozituar pranë DPPI-së  rreth 7000 aplikime, nga të cilat 4500 marka janë për produkte shqiptare.
Kjo rritje e tyre tregon se biznesi po ndërgjegjësohet për regjistrimin dhe mbrojtjen nga konkurrenca në treg e këtyre produkteve. Përvoja e vendeve të zhvilluara ka treguar se suksesi në një treg global vjen jo vetëm nga nxjerrja  e produkteve të reja në treg, por edhe nga mbrojtja e tyre si pronë industriale.
Mbrojtja dhe patentimi i produkteve “Made in Albania” ka një rëndësi të madhe, sepse  jo vetëm mbrohen dhe  ruhen vlerat tradicionale, por iu jepet mundësi sipërmarrjeve të rrisin cilësinë dhe të konkurrojnë denjësisht në tregje më të mëdha si brenda dhe jashte vendit.

Agroturizmi në Shqipëri dhe markat

Agroturizmi në Shqipëri është një sektor në zhvillim me potencial të madh. Gërshetimi dhe kombinimi i bujqësisë me turizmin po shndërrohet në një model të suksesshëm biznesi për zonat rurale.
Nisur nga vendndodhja gjeografike, peizazhet e mrekullueshme natyrore, tradita e hershme e mikpritjes, kuzhina e pasur me shumë receta/teknika tradicionale gatimi dhe produktet tradicionale e bëjnë Shqipërinë vendin e përsosur për një përvojë agroturizmi.
Në fillim, agroturizmi përqëndrohej në një numër të kufizuar qarqesh, por në vitet e fundit shumë biznese agroturizmi janë shfaqur në të gjithë Shqipërinë, me disa nga pikat më të mëdha të agroturizmit të ngritura përreth Tiranës, Durrësit dhe Lezhës. Sipas  të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në Shqipëri aktualisht numërohen mbi 28 njësi të certifikuara si “Subjekt i certifikuar për veprimtarinë e agroturizmit”.

Markat shqiptare me emërtimin sipas origjinës për zhvillimin e agroturizmit

Nisma më e rëndësishme publike e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në drejtim të zhvillimit të agroturizmit është programi “100 Fshatrat”, një nismë që synon të krijojë modelin e parë të suksesshëm të zhvillimit të integruar rural në Shqipëri. Por ndërkohë nisma “100 Fshatra” dhe ajo e agroturizmit kanë në themel mbrojtjen dhe nxitjen e produktit vendas, si marka unikale të zhvillimit turistik në vend.
Programi “100 Fshatrat”, synon të krijojë një rrjet të markatave/dyqaneve që të jenë të specializuara në shitjen e këtyre produkteve. Ky rrjet ka emërtimin e vet (markën/brandin) që e dallon nga rrjetet e tjera bazuar në një strategji të posaçme marketingu dhe franchise. Synohet që Brandi Albania të jetë në përputhje me karakteristikat dhe produktet e zonave të përcaktuara për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor, fillimisht në 100 fshatrat si edhe të jenë produkte të marketueshme. Mbështetja financiare për ngritjen e këtij rrjeti është parashikuar  në kuadrin e programit “100 Fshatra”. https://bujqesia.gov.al/programi-i-integruar-per-zhvillimin-rural-programi-i-100-fshatrave-2/

Identifikimi i produktit me zonën që e prodhon përmes emërtimit të origjinës është sipas ekspertëve të Ministrisë së zhvillimit ekonomik një mundësi e mirë për zhvillimin e agroturizmit në vend. Shqipëria ka deri më tani vetëm 11 regjistrime të tilla. Ndërkohë organet dhe instancat shtetërore po nxisin shtimin e aplikimeve duke garantuar mbrojtjen e këtyre markave në treg përmes inspektoriatit të tregut.

Shitja e produkteve artizanale/suvenireve

Në funksion të nxitjes së produktit vendas, si marka unikale të zhvillimit turistik në vend, një praktikë që po shfaqet në fermat e agroturizmit  dhe duhet ndjekur, është shitja e produkteve artizanale/suvenireve, duke siguruar të ardhura jo vetëm për fermën, por edhe për komunitetet rurale përreth.
Falë punës dhe përpjekjeve  të prodhuesve vendorë të  industrisë ushqimore, me shoqatat e biznesit, organet shtetërore dhe donatorët, 11 nga produktet tradicionale  shqiptare kanë përftuar markën e cilësisë. Ato janë: gështenja e Malësisë së Madhe, mjalti i gështenjës së Tropojës, mjalti i gështenjës së Malësisë së Madhe, boronica e Bjeshkëve të Tropojës, boronica e Bjeshkëve Kuksiane, jufka dibrane, mjalti i gështenjës së Reçit, mishi i dhisë së Hasit, uji Korabi, uji Glina dhe vaji i prodhuesve nga Borshi. Regjistrimi i markave po shihet si një nga komponentët kryesorë të rritjes së konkurrencës dhe zhvillimit të biznesit përmes rritjes së eksporteve. https://bujqesia.gov.al/skemat-e-cilesise-se-produkteve-bujqesore-dhe-ushqimore/

Projekti “Brand Albania”

Projekti “Brand Albania”, është një projekt i financuar nga USAID për të zhvilluar një markë kombëtare për produktet ushqimore autentike shqiptare dhe synon të ofrojë asistencë teknike të drejtpërdrejtë për sektorin privat në bashkëpunim me instancat shtetërore. 
Projekti “Brand Albania”, në bashkëpunim me partnerët e tjerë zbatues në Shqipëri, kanë organizuar aktivitete ndërgjegjësuese dhe informuese për promovimin e produkteve cilësore vendase dhe të nismave të lidhura me turizmin, përfshirë ngritjen e kapaciteteve të agroturizmit.
Një shembull ilustrues është prodhuesi i mjalti të gështenjës së Reçiti, cili  ka marrë ndihmë përmes projektit Brand Albania për markim dhe ripaketim. Mjalti shqiptar i gështenjës prodhohet në Reç, Malësi e Madhe, në Shqipërinë Veriore.

Cilat janë disa nga nismat për markat kombëtare të produkteve ushqimore autentike shqiptare?

1. Original (origin-albania) - skema e certifikimit për promovimin e produkteve të cilësisë vendase (100% shqiptare)

Në kuadrin e programit të USAID-it për rritjen e ekonomisë rajonale (REG), USAID/Shqipëri, së bashku me partnerin e aktivitetit lokal, Creative Business Solutions (CBS), ka nisur një projekt për të zhvilluar një markë kombëtare për produkte ushqimore autentike shqiptare.
OriginAL është një markë kombëtare për produkte ushqimore autentike 100% shqiptare të krijuar nga Brand Albania me synim të mbështesë agroturizmin duke promovuar karakteristikat unike dhe autentike cilësore të produkteve të përzgjedhura bujqësore shqiptare dhe duke i përdorur ato si “ambasadorë” të turizmit.
Produktet 100% shqiptare të certifikuara nga OriginAL si çaji i malit shqiptar dhe mjalti i gështenjës nga Reçi kanë përfaqësuar me suksese Shqipërinë me logon OriginAL në Samitin Botëror të Turizmit të Aventurës (Adventure Travel Summit). Nëpërmjet ndihmës të këtij projekti janë certifikuar edhe disa produkte të tjera shqiptare si jufka dhe trahana zerja, gështenja e Reçit, etj. (https://www.originalbania.com)

2. Shija e veriut- një markë për promovimin e produkteve tipike nga Vau Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz. - https://shijaeveriut.al/sq/index.php/rreth-nesh

“Shija e Veriut” është një markë e regjistruar për promovimin e produkteve dhe ofertave gastronomike dhe turistike të bashkive Vau Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz, në veri të Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë promovohen djathra me cilësi dhe karakteristika unike të zonës. Gjithashtu, karakteristikat e veçanta gjeografike të zonës me pyjet, pisha dhe lisa favorizojnë rritjen e kërpurdhave (kryesisht porçini) si dhe frutat e pyllit (boronica, thana dhe dredhëzat). Nga  produktet dallohet rakia (një brand me bazë fruta, tipike për zonat e Ballkanit), reçelërat, kompostot dhe frutat e thata. Një tjeter produkt i rëndësishëm i zonës është edhe mjalti, veçanërisht mjalti i luleve, i gështenjës dhe i trumzës.

Markat në Kuadrin Ballkanik

Sipas ekspertëve, njohja globale e prodhimeve të Ballkanit do të ishte një hap i rëndësishëm për rajonin dhe mund të ndihmonte në nxitjen e zhvillimit të industrive të tjera dhe markimin e më shumë prodhimeve. Psh në Bosnjë e Hercegovinë, ka më shumë se 160 produkte që përmbushin kërkesat për të qenë të certifikuara si produkte origjinale. Programi i Malit të Zi "Më e mira e Malit të Zi - Cilësia e Evropës" ka certifikuar 74 produkte nga 14 kompani.
Shqipëria me anë të programit  “Vula” dhe “Marka e cilësisë” ka  certifikuar  11 kompani  të prodhimeve autentike shqiptare, me synimin për të mbështetur dhe ndërtuar produktet e markës shqiptare.(https://ata.gov.al/2019/02/18/11-produktet-tradicionale-shqiptare-me-marken-e-cilesise/)
Pa markat e duhura produkti mund të kopjohet nga kompanitë e tjera. Në vitet 1990, Maqedonia nuk e mbrojti siç duhet produktin e saj të specave të kuq “AJVARIN” pasi Sllovenia e nxori atë si markë të vetën dhe e mbrojti me një markë tregtare. Qeveritë mund të ofrojnë mbrojtje të markave tregtare me qëllim që të ndihmojnë kompanitë të parandalojnë dhe mbrojnë produktet e tyre nga kopjimi. Por vetë bizneset dhe kompanitë duhet të zhvillojnë strategjitë e tyre për të zgjeruar rezen e veprimit të markave të tyre.
Në një kontekst më të gjerë shihet që vendet e Ballkanit vazhdojnë të punojnë për të zgjeruar praninë e tyre ekonomike në tregjet ndërkombëtare, dhe nga  ekspertët e tregut inkurajohet rritja e investimeve me qëllim markimin e prodhimeve vendase. Regjistrimi i markave dhe patentave po shihet gjithashtu si mjet i rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të huaja në këto vende.

Fjalët kyçe: marka tregtare, “Brand Albania”, produktet tradicionale, agroturizmi, etj.


 


 

 

Këshillime të tjera