16.01.2023

Metodat dhe llojet e pagesave ndërkombëtare për një biznes eksportues

1.Metodat e pagesave

Sot ekzistojnë disa mënyra apo metoda  përmes të cilave mund të bëhen pagesat në tregun ndërkombëtar, të cilat kanë shkallë të ndryshme sigurie për eksportuesin. Metoda e përzgjedhur varet nga pozitat respektive që kanë shitësi/eksportuesi  dhe blerësi/Importuesi , si dhe shkalla e sigurisë e kërkuar nga secila palë. Pavarësisht nga metoda e pagesës qe zgjidhni, është mirë që më parë të merrni një referencë krediti mbi klientin tuaj nga një agjenci që ofron të tilla shërbime. Gjithashtu ju mund të ndihmoheni nga këshilltari financiar ose dhomës së tregtisë së rrethit apo qytetit tuaj.

1.1 Parapagimi - Paraja e dhënë paraprakisht 

Parapagimi ashtu siç nënkupton dhe termi, është formë pagese në të cilën blerësi (kompania e huaj importuese) duhet të paguajë eksportuesin në një kohë të rënë dakort përpara se të arrijë malli. Kjo lloj pagese mund të aplikohet nëse importuesi është krejtësisht i panjohur. Ky është opsioni juaj më i sigurt sepse eliminon të gjitha rreziqet e mos-pagesave dhe e rrit kapitalin punues. Por fatkeqësisht, blerësit ndërkombëtarë që duan të paguajnë paraprakisht zakonisht kanë hezitime ndaj mbajeni parasysh këtë fakt dhe negocioni sa më shumë në këtë drejtim. Zakonisht kjo realizohet me anë të transfertave bankare, çekut ose karta krediti të posaçme për këtë qëllim. Në disa raste kontratat mund të specifikojnë parapagimin - p.sh. 20% në momentin e firmosjes së kontratës, dhe pjesa tjetër pas nisjes së mallit.

1.2  Letër  - Kredia (Letter of  Credit)

Eshtë një nga instrumentët më të rëndesishëm dhe më të sigurtë të pagesave që përdoret sot në tregtinë ndërkombëtare. Kjo mënyrë pagese është shumë e sigurt, sidomos për eksportuesit. Ajo eleminon në maksimum risqet e tregtisë ndërkombëtare dhe është mjaft e favorshme për kryerjen e transaksioneve individuale ose në seri, duke ofruar mbrojtje për tregtinë me blerës të panjohur, sidomos duke ulur në minimum  periudhën e gjatë të likuidimit (kohën) midis porosisë dhe  shitjes së mallit. “Përfitimi më i madh” në këtë rast është se eksportuesi ka një dokument bankar ku një bankë angazhohet për pagesën para nisjes së mallit. Por eksportuesi duhet të jetë i kujdesshëm lidhur me përmbushjen e të gjithë kushteve të letrës së kreditit, pasi në të kundërt, banka mund të tërheqë angazhimin e saj. Kujdes i veçantë i duhet kushtuar disa elementëve të tjerë, si p.sh. përshkrimit të saktë të sasive të mallit, llojit të dokumentacionit shoqërues etj, pasi edhe parregullsitë më të vogla mund të shkaktojnë probleme.Gjithsesi, eksportuesi është mirë dhe duhet të pranojë L/C nga banka të njohura dhe të konsoliduara me përvoja në transaksionet e tregtisë ndërkombëtare.

Çfarë është letër kredia ? 

(L/Cs) është angazhimi i bankës me urdhër të klientit (blerësit - importuesit) të saj për të paguar një shumë të caktuar parash (për ta kredituar) në ditën e caktuar për llogari të një shitësi (përfituesi - eksportuesi), përgjithësisht me anën e një banke tjetër korrespondente.

L/C, karakterizohet nga fakti që pagesa nuk mund të bëhet veçse kundrejt paraqitjes së disa dokumentave specifike të kërkuara për kredinë, sidomos ato për vlera të ndryshueshme, si garanci, angazhime, kontrata, çertifikata ,etj  të lidhur me mallrat.  Pra ,Letër kredia për eksport - paraqet garanci për eksportuesin, i cili do të paguhet pas dorëzimit të mallrave dhe shërbimeve sipas kërkesës/vendimit në kontratën e shitjes.

Cilat janë disa forma të letër - kredisë ( L/C)?

Në tregtinë ndërkombëtare njihen disa forma të leter-kredisë (L/C), por më të njohurat  janë  L/C e pakthyeshme (irrevocable) dhe të kthyeshme (revocable), që  mund të jenë të  konfirmueshme  dhe të pa konfirmueshme.  Ky dokument zvogëlon rrezikun e mos pagesës për eksportuesit dhe për pasojë duhet përdorur për marrëdhënie biznesi/eksporti ende të pakonsoliduara mirë ose për eksport me tregje të pasigurta. Për një eksportues, letër-kredia që i ofron më shumë  siguri është ajo e pakthyeshme (ose e pa shfuqizueshme), e lëshuar nga një bankë e huaj dhe e konfirmuar nga një bankë vendase (Shqipëri). Kjo do të thotë se detyrimet e palëve ndaj shumës së kreditit nuk mund të ndryshohen pa rënë dakord nga të gjithë, nëpërmjet një marrëveshjeje. Derisa banka njoftuese të konfirmojë kreditimin, eksportuesi është në varësi të aftësisë paguese të bankës së huaj, ku paraqiten dokumentat.  Kur banka njoftuese shton edhe konfirmimin e saj, ajo garanton që kushtet dhe termat  e kërkuara janë plotësuar dhe pagesa në favor të eksportuesit do të bëhet.

Përdorimi i letër - kredisë ( L/C)

Për të hapur letër-kredinë në një bankë, zakonisht mjafton të disponosh një llogari bankare. Në këtë rast banka merr përsipër kryerjen e pagesës me paraqitjen e dokumentacionit dhe sipas afateve të përcaktuara. Një  L/C  nis me blerësin - importuesin,  i cili instrukton bankën e tij të lëshojë (hap) atë  për një shumë të caktuar blerjeje në favor të shitësit - eksportuesin. Por, përpara se të hapet një letër-kredie (L/C) është e nevojshme që importuesi dhe eksportuesi të bien dakort që mënyra e shlyerjes së mallit të bëhet me këtë lloj pagese. Për këtë duhet të nënshkruhet një kontratë ku dhe përcaktohen termat dhe kushtet e pagesës te cilat janë dakortësuar paraprakisht mes eksportuesit dhe importuesit.

Kushtet e pagesës mund të jenë të ndryshme në varësi të kontratës së lidhur,  por zakonisht paguhet me tre pjesë; (i) parapagim (zakonisht 10 %), (ii) kur mbërrin dokumentacioni që tregon se malli është nisur (zakonisht 40-50 %), dhe (iii) kur produkti është marrë nga blerësi dhe mbetet të paguhet pjesa tjetër e detyrimit. Në sistemin tonë bankar pothuajse të gjitha bankat tregtare ofrojnë krahas llojeve të tjera të pagesave ndërkombëtare edhe shërbimin e hapjes të Letër Kredisë, përfshirë dhe çeljen e garancive bankare kundrejt komisionit përkatës.

1.3 Grumbullimi dokumentar ( Inkaso dokumentare - D/C)

Inkaso dokumentare ju ndihmon të siguroheni për kualitetin, sasinë dhe pagesën e të mirave materiale. Shërbimi përfshin një set të dokumenteve, përmbajtja e të cilave është aprovuar nga palët dhe të cilat banka e eksportuesit e dërgon te banka e importuesit. Ky instrument pagese garanton që eksportuesi i merr pagesën e tij,  duke qenë se importuesi e ka si hap të parë kryerjen e pagesës përpara së të marrë mallrat e eksportit. Nga eksportuesi dokumentat paraqiten në bankën e tij , që i dërgon ato në një bankë të vendit blerës/Importuesit.

Pas verifikimeve më pas ato të dërgohen në bankën e importuesit dhe Importuesi paguan për mallrat. Banka e importuesit ia dorëzon dokumentat importuesit dhe ai merr mallrat e eksportuara. Më pas Paratë do të transferohen në bankën e eksportuesit dhe ai do të paguhet.

Karakteristikat kyçe të Inkasove Dokumentare  :

- Janë më pak të komplikuara dhe kane më pak shpenzime se me instrumentet tjera të pagesës apo sigurimit;

- Kërkohen në rastet kur palët e kontratës kanë marrëdhënie të mira dhe informata të mjaftueshme lidhur me biznesin dhe/apo aftësitë paguese të njëri tjetrit;

- Malli kalon në pronësi të Importuesit pasi Eksportuesi të jetë kredituar për vlerën e mallit, etj.

Bankat në shumicën e vendeve i trajtojnë këto dokumenta duke respektuar kushtet e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë " Rregullat Uniforme” për Inkaso, Nr. URC 522, Revizioni 1995.

1.4 Paraja e dhënë Llogaria e Hapur ( "Open account" )   

Kjo metodë përdoret zakonisht kur të dy palët kanë një marredhënie tregtare të gjatë dhe të suksesshme, por për shkak konkurencës del e nevojshme përdorimi i saj.  Llogaria e Hapur kërkon që ju të dërgoni mallrat dhe t’jua kaloni ato blerësi përpara se të bëhet pagesa. Në këto raste, ju jeni plotësisht të ekspozuar ndaj rreziqeve të ndërlidhura me blerësin deri në momentin kur pranohet pagesa. Kjo pa dyshim përbën metodën më pak të sigurtë për eksportuesit.

Me nisjen e mallrave, dokumentat dërgohen direkt tek blerësi. Menjëherë apo në përputhje me kushtet e kreditimit, blerësi bën pagesat me çek, urdhërpagesë, apo transfertë. Eksportuesi gjithashtu duhet të marrë në konsideratë problemet që mund të shfaqen me levizjen e parave (cash flow) nëse  pagesa vonohet (pasi kjo ndodh shpesh). Kushtet e llogarisë së hapur janë shumë tërheqëse për blerësin, pasi pagesat mund të bëhen më lirë dhe me minimumin e formaliteteve.

Anët e forta & të dobëta për secilën prej mënyrave të pagesës : 

Këshillime të tjera