24.01.2023

Cilët janë opsionet e financimit eksportues të pranishëm në Shqipëri?

Financimi i eksportit është një formë e financimit të specializuar të tregtisë ndërkombëtare që mund të ndihmojë një biznes të rritet dhe të shesë në një treg më të madh. Në këtë artikull, janë përmbledhur shkurtimisht disa nga produktet kryesore të financimit të tregtisë që janë në dispozicion të bizneseve në Shqiperi që synojnë tregjet e huaja.

Pse është i rëndësishëm financimi i eksportit?

Në përgjithësi, shitësit e mallrave ose shërbimeve (eksportuesit) duan të paguhen sa më shpejt që të jetë e mundur, madje edhe para tregtisë, ndvrsa blerësit (importuesit) duan të vonojnë pagesën për aq kohë sa të jetë e mundur, për të mbajtur flukse të forta parash dhe për t'i siguruar sa më shumë kohë për të shitur. Kjo do të thotë që palët e treta si institucionet financiare mund të shtojnë vlerë duke ofruar një formë garancie financiare, për të kapërcyer “ hendekun ” financiar dhe siguruar besimin midis blerësit dhe shitësit.

A ka rreziqe financimi i eksportit ?

Eksportimi i mallrave në një vend tjetër ka në thelb rreziqet e veta. Vetë-financimi i një eksporti në rritje mund të jetë shumë i rrezikshëm, e sidomos për eksportuesit e rinj apo të vegjël. Prandaj, një kompani në rritje që përgatitet të hyjë në eksport do të dëshirojë të zbusë disa nga këto rreziqe dhe gjithashtu të strukturojë financat e saj në atë mënyrë që të ketë rritje të qëndrueshme dhe të sigurt. Këtu merr rëndësi identifikimi i kërkesave për financimin e eksportit tuaj dhe të qenit i kujdesshëm sidomos kur bëhet fjalë për ‘sigurinë e pagesës’ nga jashtë vendit. Prandaj proçedurat dhe nevojat financiare që ju të filloni të eksportoni duhet të trajtohen me kujdes të veçantë pasi eksportuesit do t’i nevojitet jo vetëm sigurimi i partneritetit, i prodhimit për eksport por dhe financa për të mbuluar gjithçka që lidhet me eksportimin : Koston fillestare të studimit të tregut, vizitat në tregun e huaj, promovimi i produktit etj; Prodhimin, paketimin dhe transportimin e mallrave; Një periudhë besueshmërie e dhënë blerësit ose ndërmjetësuesit etj.

Në këto raste kompanitë eksportuese duhet të kërkojnë këshillim profesional në të gjitha këto çështje nga ekspertet dhe financierët e tyre ose të kontaktojnë me banka që ofrojnë instrumentat e duhur tregtarë financimi dhe të diskutojnë mundësinë e mbështetjes së sigurt financiare.

1 - Paradhënia bankare /Llogari e Zbuluar - (Overdraft)

Overdrafti është një kredi afatshkurtër e parashikuar për t’i shërbyer nevojave afatshkurtra të kompanisë. Përdorimi i kufirit të llogarisë së zbuluar është një burim tradicional fondesh për eksportuesit. Eksportuesi bie dakort me bankën për një limit huaje e cila rishikohet në mënyrë periodike.

Paradhënia bankare i jep mundësinë klientëve të kenë para në çdo kohë në llogarinë e tyre rrjedhëse sa herë do t’ju nevojiten. Në dallim nga kreditë e zakonshme, ju nuk keni nevojë ta shlyeni atë me këste fikse mujore. Përdorimi i overdraftit për shkak të kostove të larta që ka duhet të merret vetëm për investime afatshkurtra si për shembull financim i kapitalit qarkullues.

2 - Huatë/Kredia

Eksportuesit për të financuar operacionet e tyre tregtare i duhet të vendosin nëse do të marrin një kredi apo do të përdorin burime të tjera financiare. Përpara se të konsiderojë marrjen e një huaje/borxhi, pyetja e parë që një eksportues duhet të bëjë është nëse atij vërtet i duhet të marrë kredi , nëse po, sa të marr , përse i duhet ky borxh, dhe si do ta paguajë atë. Zakonisht huatë janë një formë më zyrtare dhe më pak fleksibël se sa overdraftet dhe lëshohen për një qëllim specifik me pagesa të rregullta të rëna dakort për të gjithë periudhën e kredisë. Interesat janë në varësi nga normat e tregut, kohëzgjatja e huasë dhe aftësia paguese e huamarrësit. Në varësi të qëllimit për të cilin do të përdorni kredinë, do të zgjidhni edhe llojin e kredisë si për :  Financim të kapitalit qarkullues; Kredi për Investime ; Kredi Konsumatore ; Financimi i Projektit; etj.

3 - Faktoringu

Faktoringu është blerja me zbritje (skonto) e llogarive të pagueshme dhe është një nga mënyrat më të shpejta për një biznes eksportues për të arkëtuar faturat e eksportit. Përparësia e faktoringut është se shitësit/eksportuesit i bëhet pagesa në kohe. Një avantazh tjetër është se mund të financohen edhe biznese start-up, që zakonisht nuk financohen me kredi bankare. Eksportuesi transferon të drejtën e arkëtimit të faturave me jashtë tek një kompani faktorizimi (një organizëm i specializuar në financimin e faturave të arkëtueshme) përkundrejt parave në ‘dorë’ (cash) që ajo jep, por me ulje në krahasim me vlerën reale të faturës. Shume biznese Shqiptare eksportuese në sektorë të ndryshëm si tekstile - këpucë apo dhe agrobiznes, hasin probleme me bleresit e huaj që i vonojnë dhe ka raste që paguajnë për mallrat që kanë importuar. Nëse kjo ndodh, për eksportuesin, atëherë duhet të bëhet e qartë qe me metodën faktoring mund të arrihet një mbledhje e plotë e borxhit dhe menaxhimi i tij. Në Shqiperi “Faktoringu” , është një nga shërbimet më të reja financiare jobankare në vend, dhe rregullohet me ligjin Nr. 10029, Date 11/12/2006 që mbikqyret nga Banka e Shqipërisë, si pjesë e sistemit financiar shqiptar. Aktualisht janë 8 institucione financiare jobanka dhe 9 banka të liçencuara nga Banka e Shqipërisë.

4. Deklaratë shkëmbimi (Bill of Exchange)

Ky dokument është një instrument pagese në formën e një urdhër xhirimi i shkruar nga shitësi që i kërkon blerësit të paguajë një shumë të përcaktuar sipas kërkesës në një datë specifike. Personit të cilit i adresohet urdhëri, e firmos atë duke e bërë të pranueshëm borxhin si dhe faktin se do ta paguajë atë. Faturat mund të pranohen nga importuesit apo bankat për pagesën që do të kryhet në të ardhmen. Me pranimin eksportuesi mund të jetë në gjendje të konvertojë faturën në para duke e shitur atë me zbritje në një bankë. Eksportuesi duhet ta kërkojë këtë instrument, nëse ai ka filluar të punojë me një importues të ri dhe ka dyshime serioze për aftësinë paguese të importuesit

5. Forfaiting

Është një formë specifike e financimit të tregtisë që e lejon një eksportues t’i japë një importuesi kushte financimi me normë interesi afat shkurtër, afat mesëm apo afat gjatë.

Mund të përcaktohet si instrument pagese që i lejon eksportuesit të marrin para duke shitur llogaritë e tyre të arkëtueshme afatmesme dhe afatgjata të huaja me një zbritje tek një forfaiter, një firmë e specializuar financiare ose një departament i caktuar në një bankë.

Ky lloj financimi lejon eksportuesin t’i ofrojë klientit të tij mundësinë të paguajë me faza, zakonisht të përfaqësuara me faturat e shkëmbimit apo me letra premtimi. Kur mallrat ngarkohen, faturat e shkëmbimit zbriten (diskontohen) nga një bankë ‘Forfaiting’, që do t’i paguajë eksportuesit shumën e eksportit.

Kjo nënkupton se eksportuesi ka pagesën e plotë, ndërkohë që importuesi e bën pagesën përgjatë një kohe disa mujore apo disa vjeçare. Përfitimet nga Forfaitingu janë relativisht më të larta, sepse transaksionji mbyllet shpejt dhe eksportuesi, është i liruar nga çfarëdo rreziku në transaksion dhe është përgjegjës (mban detyrim) vetëm për kualitetin dhe sigurinë e mallrave dhe/osetë shërbimeve të ofruara.

6. Dhënia me qera /Qeraja financiare (Leasing)

Lisingu i mallrave të eksportit vepron kryesisht në tregun e brendshëm. Ky shërbim mund të ofrojë më shumë financim se institucionet kredituese tradicionale dhe në të njëjtën kohë redukton rreziqet e kreditimit. Dhënia me qera është një opsion i volitshëm për të blerë makineri dhe/ose pajisje.

Si një mënyrë më e thjeshtë dhe shumë më e shpejtë për financimin e nevojave si biznes dhe individ, ajo ofron shumë përfitime të mëdha me kosto shumë të arsyeshme sidomos per NMV- te.Një ndryshim që ka nga kredia është se, duke marrë financim “leasing “ ju nuk keni nevojë për garanci shtesë. Kompania e lisingut blen mallrat nga furnizuesi dhe i jep ato me qera tek blerësi i fundit që i përdor plotësisht mallrat për një periudhë të rënë dakort, subjekt i pagesës së huasë. Lisingu mund të jetë një formë e nevojshme për financimin e eksporteve pasi në disa vende detyrimet doganore dhe TVSH nuk paguhen kur mallrat importohen në formën e lisingut. Në fund të kontratës së qerasë, qeramarrësi zakonisht ka opsionin ose të kompletojë blerjen e pajisjeve ose t’i kthejë ato. Në Shqipëri ka disa institucione dhe banka që ofrojnë këtë shërbim.

7. Sigurimi i Kredive për Eksport

Sigurimi i kredisë për eksport është garanci për eksportuesin në rast se blerësi nuk paguan çmimin e kontraktuar në kontratën e eksportit ndërkohë që eksportuesi i është përmbajtur termave të kontratës së eksportit. Në Shqipëri, aktualisht nuk ekzistojnë akoma institucione financiare që të ofrojnë këtë lloj shërbimi, por sidoqoftë në bankat Shqiptare, për të siguruar transaksionet e biznesit ofrohen shërbime të garancive të ndryshme. Është e këshillueshme që eksportuesit të njihen dhe t’i përdorin këto instrumenta bankare për mbrojtjen e biznesit të tyre.

Çfarë nënkuptojmë me termin “Garanci bankare “?

Garancia bankare është instrument i cili siguron pagesën në kohë të mallrave/shërbimeve ose për përmbushjen e kushteve të tjera të kontratës. Banka angazhohet të paguajë çdo shumë të rënë dakort në rast mos përmbushje të detyrimeve, në rast prezatimi të një kërkese për pagesë të vlefshme nga ana e Përfituesit, brenda afateve kohore dhe në përputhje me termat dhe kushtet e Garancisë së lëshuar. Garancia bankare mund të jetë lokale apo ndërkombëtare dhe siguron bankat të emetojnë ose lëshojnë disa lloje garancish bankare disa prej tyre po i paraqesim më poshtë:

- Garanci ankandi/per pjesemarje tenderi (Bid bond)

- Garanci Pagese në raste të mospagesës (Payment Guarantee in case of nonpayment)

- Garanci kontrate (Performance Bond- Contract /Performance Guarantee )

- Garanci pagese paraprake (Advance Payment Guarantee)

- Garanci doganore (Customs Warehouse Guarantee).

Këshillime të tjera