30.07.2024

Këshillimi Smart - Trendi i limonit

Parashikimi i trendit të limonit për vitin 2024

Në Shqipëri, rreth 63.5% të prodhimit të agrumeve e zë mandarina, 14.6% portokalli dhe 10.6% limoni, ndërsa produktet e tjera si qitro, greipfruti, nerënxa janë në vlera të papërfillshme me rreth 0.2%. Qarku i Vlorës listohet si potenciali më i madh i kultivimit të agrumeve, kryesisht zona e Konispolit, Mursisë, Xarrës, i ndjekur nga qarku i Fierit, kryesisht zona bregdetare si Libofsha, Divjaka, Elbasani, Berati etj.

Kërkesa për limon është e lartë, ku afërisht 57% të konsumit mbulohet nga prodhimi i brendshëm dhe 43% mbulohet nga importi. Shqipëria importon mesatarisht rreth 4,500 ton limona në një vlerë mesatare rreth 3.4 milion USD.

Si paraqitet trendi botëror i limonit?

Vërehet që përgjatë vitit 2024, tregu Europian i limonit po përjeton tendenca të ndryshme të ndikuara nga kushtet e motit, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit pavarësisht kërkesës së lartë të konsumatorit.


Spanja. Tregu spanjoll i limonit paraqet një performancë të përzier. Vjelja paraqet vonesa në krahasim me vitet e mëparshme. Ekuilibri ndërmjet ofertës dhe kërkesës ka mbetur relativisht i qëndrueshëm, me çmime që variojnë ndërmjet 0,35 € dhe 0,40 € për kg në fermë. Megjithatë, tregu është nën presion për shkak të konkurrencës nga limoni turk, të cilët kanë filluar të paraqiten në tregjet e Europës Lindore në vëllime më të mëdha.
Italia. Tregu i limonit po përballet me vështirësi për shkak të thatësirës dhe temperaturave të larta, të cilat kanë ndikuar në rritjen dhe cilësinë e frutave. Shitjet kanë qenë të ngadalta dhe çmimet nuk kanë qenë të favorshme. Për shembull, çmimi për limonët sicilianë me cilësi të mirë është rreth 0,60 € për kg.
Franca. Tregu francez i limonit filloi me komplikime për shkak të motit të nxehtë në Spanjë që ndikonte në cilësinë e limonit. Është interesante se limonët organikë kanë pasur çmim më të ulët se ato konvencionale, gjë që është e pazakontë. Tregu pritet të rritet në Shtator, me kërkesën tradicionale të "detoksit" pas pushimeve, duke rritur potencialisht çmimet.

Tregu Europian i limonit për vitin 2024 karakterizohet nga vjelje të vonuara, cilësi të ndryshueshme dhe çmime të luhatshme.
Kjo është një mundësi për fermerët Shqiptarë për të përfituar nga ndryshimet e tregjeve Europiane dhe në të njëjtën kohë të zgjerojnë sipërfaqet e kultivuara me varietetet e hershme.

“NOA Financon, NOA Këshillon”

Këshillime të tjera