Këshillimi Smart - Tuta Absoluta në sera
Luftimi i Tutës Absoluta në sera
Tuta Absoluta ose siç e themi në shqip, tenja e domates, është një dëmtues shkatërrues i kësaj bime dhe i Solanoreve të tjera. Origjina e saj është nga Amerika e Jugut, por në 15 vitet e fundit ka marrë një shtrirje të madhe në Europë. Tek domatja, mund të sulmojë çdo pjesë të bimës në çdo fazë të kultivimit dhe mund të shkaktojë shkatërrim të bimës deri në 100%. Si sëmundje paraqitet tek të gjitha perimet e serave, por edhe në fushë të hapur, veçanërisht në bimën e patates.
Kush janë simptomat që paraqiten dhe dëmet?
Infektimi i bimëve të domates ndodh gjatë të gjithë ciklit të kultivimit. Dëmtimi nga të ushqyerit shkaktohet në të gjitha fazat e larvës dhe në të gjithë bimën. Larvat ushqehen me indin e mezofilit në gjethe, duke formuar tunele të çrregullta. Larvat mund të formojnë galeri me shtrirje të gjerë në kërcell, që ndikon në zhvillimin e bimëve. Frutat gjithashtu sulmohen nga larvat, dhe rrugët hyrëse përdoren nga patogjenët sekondarë, që shkaktojnë kalbje të frutit. Serioziteti i infektimit varet pjesërisht nga lloji i domates.
Humbja potenciale e prodhimit tek domatet (në sasi dhe cilësi) është mjaft e madhe dhe mund të arrijë 100%, nëse dëmtuesi nuk menaxhohet. Tuta Absoluta është përhapur në të gjithë Europën. Vende të tilla si Italia, Greqia dhe Franca kanë raportuar infektime të rënda, me humbje të konsiderueshme të prodhimit dhe rritje të kostove të prodhimit, si pasojë e intesitetit agroteknik për menaxhimin e saj. Në Spanjë, humbjet ekonomike për shkak të infektimeve nga Tuta Absoluta janë vlerësuar të kalojnë 200 milionë euro në vit.
Trajtimet për menaxhimin e Tutës Absoluta?
Menaxhimi efektiv i Tuta Absoluta kërkon një qasje të integruar që kombinon praktikat kulturore, kontrollin biologjik, trajtimet kimike dhe monitorimin e vazhdueshëm. Duke zbatuar këto strategji, fermerët mund të zvogëlojnë ndikimin e këtij dëmtuesi në kulturat e domates, të përmirësojnë rendimentet dhe të minimizojnë varësinë nga insekticidet kimike. Përpos kontrollit mekanik dhe masave paraprake agroteknike, rëndësi e veçantë paraqet: a). Kontrolli biologjik, që konsiston në vendosjen e popullatave me agjentë efektivë për kontroll biologjik nëpër sera, si Nesidiocoris Tenuis, Macrolophus Pygmaeus, Necremnus sp., Trichogramma sp. ose Pseudoapanteles sp. dhe b). Kontrolli kimik që konsiston në përdorimin të insekticideve të regjistruara për kontroll të Tuta duke bërë rrotacion të insekticideve me metoda të ndryshme veprimi për të evituar rezistencën.