NOA Emeton Obligacione afatgjata në Investitorë Institucionalë Vendas

NOA Emeton Obligacione afatgjata në Investitorë Institucionalë Vendas

Kompania NOA sh.a., e licencuar nga Banka e Shqipërisë si institucion financiar jo-bankë, ka emetuar më 1 Mars 2017 obligacionet korporative afatgjata, duke prezantuar kështu një produkt novator për sa i përket tregut të kapitaleve në Shqipëri.

Ky produkt u konkretizua pas një bashkëpunimi të gjatë dhe konstruktiv me institucione financiare serioze dhe të konsoliduara në tregun vendas, në kërkim të diversifikimit të portofolit të tyre në tregun e investimeve, si dhe nën frymën pozitive dhe bashkëpunuese të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Odoo image and text block

Sa vite ka kompania juaj në treg dhe çfarë përfaqëson emetimi i obligacioneve në këtë fazë të zhvillimit të biznesit?

Kompania NOA operon në treg për më shumë se 18 vjet, duke financuar nëpërmjet 23 degëve dhe rreth 300 punonjësve familjet dhe bizneset e vogla për të zhvilluar aktivitetet e tyre dhe për të përmirësuar standardin e jetesës. Prezantimi i obligacioneve në treg vjen si vijim i iniciativave të ndërmarra nga kompania pesë vjet më parë, kur ajo vendosi të sjellë një model të ri biznesi, i cili synonte përmirësimin e shërbimit ndaj klientit dhe ofrimin e zgjidhjeve të shpejta në përputhje me nevojat e tyre. Për të realizuar këtë rimodelim, NOA ka kryer një sërë investimesh, kryesisht në sistemet e informacionit, duke arritur veç të tjerash të jetë kompania e parë në tregun financiar në Shqipëri që ka automatizuar plotësisht procesin e kredidhënies.  

Përse ishte i nevojshëm emetimi i obligacioneve në tregun vendas?

Duke qenë një institucion financiar jo-bankë, NOA nuk mbledh depozita nga klientë. Në këto kushte, për të kryer aktivitetin e kredidhënies, kompania financohet nga institucione financiare ndërkombëtare si dhe banka lokale, duke u kujdesur vazhdimisht për mirëmbajtjen e një portofoli të diversifi kuar investimesh dhe kapitali të mjaftueshëm për të mbështetur rritjen e mëtejshme të portofolit.

Qëllimi i emetimit të obligacioneve nga NOA është rritja e fondeve në monedhë vendase dhe zvogëlimi gradual i fondeve në monedhë të huaj nga investitorë institucionalë që operojnë në Shqipëri, duke përmirësuar menaxhimin e fondeve. Aktualisht, portofoli i kredisë është kryesisht në monedhën Lek, kjo për vetë natyrën e financimeve në mikrokredi, por edhe për të mbrojtur klientin nga rreziku i kursit të këmbimit. Raporti i investimeve Euro/Lek është në nivele pothuajse të barabarta, kjo për shkak se një pjesë e mirë e fondeve që vijnë nga institucione financiare ndërkombëtare janë siguruar në monedhën lokale. Gjithashtu, emetimi i obligacioneve u zhvillua si një ambicie e kompanisë për të shënjuar tregun shqiptar nëpërmjet produkteve novatore në tregun e kapitaleve.

Cilat janë tiparet e obligacioneve të emetuara nga NOA dhe kujt i adresohen ato?

Kompania emetoi më 1 mars të këtij viti 160 obligacione, me vlerë nominale 500 mijë lekë, me një afat 3-vjeçar dhe normë interesi 7.00%, fikse përgjatë gjithë periudhës së maturimit. Ato janë lëshuar drejt institucioneve financiare vendase, siç janë bankat e nivelit të dytë dhe kompanitë e sigurimeve.

Fondet nga emetimi i obligacioneve do të përdoren për financimin e aktivitetit kryesor të kompanisë që është kredidhënia. Obligacionet janë të transferueshme në investitorë të tjerë institucionalë dhe zotëruesit e tyre duhet të sigurohen që transferimi të kryhet në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi (Kodi Civil dhe Ligji “Për Titujt”). Investitorët potencialë duhet të kryejnë nëpërmjet këshilltarëve të tyre profesionalë dhe të pavarur vlerësimin e faktorëve të rrezikut dhe të përcaktojnë përshtatshmërinë e investimit.

A janë planifikuar emisione të tjera obligacionesh në vijim?

Bazuar në realizimin e suksesshëm të emetimit, i cili u nënshkrua në masën 100%, dhe interesit të shprehur nga palë të tjera për të marrë pjesë në emetimin e obligacioneve të tjerë të NOA-s, ne jemi angazhuar të vazhdojmë zgjerimin e financimit të aktivitetit tonë nëpërmjet këtyre instrumenteve, në përputhje me rregulloret dhe legjislacionin në fuqi.

Si mund të informohen palët e interesuara për obligacionet e kompanisë suaj?

NOA do të publikojë periodikisht informacion në lidhje me obligacionet në website-in zyrtar www.noa.com.al, ku mund të gjendet edhe informacion i përgjithshëm në lidhje me kompaninë, shtrirjen, organizimin, produktet dhe shërbimet e saj..