Menaxhimi i Talenteve – Trendi i ri në NOA sh.a

 Menaxhimi i Talenteve – Trendi i ri në NOA sh.a

Në ditët e sotme manaxhimi i talenteve është kthyer në një nga çështjet kyçe dhe strategjike në udhëheqjen e institucioneve në mbarë botën. Po çfarë është menaxhimi i talenteve dhe a ka institucione në Shqipëri që i përafrojnë politikat e tyre me trendet globale të menaxhimit të punonjësve? Znj. Blerina Krantja, Drejtoresha e Burimeve Njerëzore pranë institucionit financiar NOA, shprehet për këtë temë në një intervistë të posaçme në revistën Monitor.

Odoo image and text block

Znj. Krantja, çfarë është “menaxhimi i talenteve” dhe pse është i rëndësishëm në drejtimin e një institucioni?

“Manaxhimi i talenteve” është procesi i rekrutimit efikas, mbajtjes, shpërndarjes dhe angazhimit të talenteve në kompani. Specifikisht është procesi i identifikimit të njerëzve kyç të cilët janë të aftë të lëvizin shpejt drejt pozicioneve të një përgjegjësie më të lartë. Në thelb, menaxhimi i talenteve është një çështje e parashikimit të sfidave dhe ndryshimeve të tregut, rrjedhimisht nevojës për kapital njerëzor në përputhje me këto parashikime dhe pastaj vendosja e një plani për ta përmbushur atë. Kjo do të thotë të identifikosh personat që janë tepër të aftë dhe do të jenë në gjendje të krijojnë një avantazh për kompaninë. Nga ana tjetër, menaxhimi i talenteve është një pjesë e rëndësishme e ndërtimit të burimeve njerëzore të angazhuara, me mundësi për rritje profesionale dhe zhvillim për të gjithë.

Cila është përqasja e NOA ndaj menaxhimit të talenteve?

NOA sh.a. është një institucion financiar që ka për qëllim të pozicionohet në treg jo vetëm si një institucion i suksesshëm, por edhe si një punëdhënës i mundësive dhe shanseve të barabarta, duke ofruar mundësi reale punësimi, promovimi dhe zhvillimi në karrierë. Në këtë kontekst, NOA është i pari institucion që ofron në tregun shqiptar të punës një program të avancuar manaxhimi talentesh, të quajtur “Fast Track”.

“Fast Track” apo thënë ndryshe “Akselerimi i Shpejtë në Karrierë” është një program i cili përshtatet me vlerën më të fortë të institucionit “Shpejtësinë”. Ky program, i ideuar për të zgjatur për një periudhë 2 vjeçare, u lançua në Dhjetor të vitit 2016 dhe ju lejon punonjësve pjesëmarrës të udhëheqin disa projekte madhore për institucionin duke zhvilluar ndërkohë aftësitë dhe kompetencat e tyre.

Cili ka qenë kriteri për t’u bërë pjesë e këtij programi?

Sikurse u përmend më lart, menaxhimi i talenteve është pjesë e ndërtimit të burimeve njerëzore të angazhuara, me mundësi për përmirësim dhe zhvillim për të gjithë. Si rrjedhojë ky program ka qenë i hapur për të gjithë punonjësit e NOA por jo vetëm. Kandidatët duhet të ishin të talentuar dhe ambiciozë, dinamikë, kuriozë, pozitivë, inovativë, fleksibël dhe tejet të orientuar drejt ndryshimit, shumë të adaptueshëm me funksione të ndryshme në kohë të shkurtër, me aftësi leadership dhe të influencojnë njerëz, idealisht me 3-5 vite eksperiencë.

Selektimi u bë brenda dhe jashtë kompanisë prej gjithë ekipit drejtues të NOA.

Sa punonjës janë bërë pjesë e këtij programi dhe çfarë po përfitojnë prej tij?

8 punonjës të talentuar dhe ambiciozë, të përzgjedhur brenda dhe jashtë institucionit janë duke ndjekur aktualisht këtë program. Në momentin e përzgjedhjes, ata kishin të përbashkët dëshirën për të eksploruar mundësi të reja në karrierën e tyre dhe për të zhvilluar potencialin udhëheqës në një ambjent sfidues, duke u përshpejtuar rrugën drejt pozicioneve manaxheriale.

Punonjësit pjesëmarrës angazhohen në biznes në mënyrë strategjike duke punuar ngushtë me ekipin e lartë drejtues për të zgjidhur sfida dhe manaxhuar projekte dhe iniciativa të reja për biznesin.

Atyre ju është ofruar mundësia të provojnë funksione të shumëfishta në kompani, njohur si “rotacion”, duke patur mentorim të dedikuar dhe ndjekur trajnime të shumta në funksion të ndërtimit të kompetencave dhe përgatitjes për rrugëtimin e tyre drejt Leadership-it.

Ka kaluar pothuajse një vit nga fillimi i programit. Sa prej punonjësve kanë arritur ndërkohë atë që prisnin prej tij?

Në një hark kohor prej 7 muajsh, 3 prej punonjësve pjesëmarrës janë promovuar në pozicione drejtuese në kompani, ndërkohë që me suportin e trajnuesve ndërkombëtarë kanë vijuar trajnimet në fushën e Manaxhimit dhe Leadership-it.

Qëllimi ynë është të ndërtojmë burime njerëzore të angazhuara, eficiente, të motivuara nga inovacioni, në mënyrë që të anticipojnë sfidat e tregut dhe t’i kthejnë ato në oportunitete.

Ne duam të ndërtojmë burime njerëzore të cilët të njihen nga klientët tanë si profesionistë që ofrojnë shërbime të shpejta dhe fleksibël.

Ne duam të ndërtojmë burime njerëzore të cilët jetojnë dhe përçojnë vlerat tona të dinamizmit, inovacionit, integritetit dhe diversitetit.